Presidenti serb

Gazetari serb: Vuçiq do t’i shfrytëzojë të gjitha mekanizmat shtetëror që të fitojë sërish në Beograd

Beogradasit pritet t’iu drejtohen sërish kutive të votimit.

Gjatë ditës së djeshme, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq i propozoi partisë së tij Progresive Serbe të shkoj në zgjedhje të reja në Beograd.

Zgjedhjet e fundit në kryeqytetin e Serbisë vazhdimisht u kontestuan nga partitë opozitare dhe vëzhguesit ndërkombëtar për shkak të shumë parregullsive që i karakterizuan ato.

Përveç kësaj, Aleksandar Shapiç nga Partia Progresive Serbe në zgjedhjet e 17 dhjetorit nuk ka arritur që ta sigurojë shumicën në kuvendin komunal të Beogradit.
Gazetari nga Beogradi, Nikola Krstiq, thotë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do ta shfrytëzojë çdo instrument shtetëror që partia e tij t’i fitojë zgjedhjet sërish në Beograd.
Ai cilëson se presidenti serb është si një lider autoritar që nuk lejon askënd ta cenojë pushtetin e tij.

“Këtu opinioni publik po mendon se me humbjen në Beograd, do të fillojë edhe rënia e Aleksandar Vuçiqit, por unë nuk e shoh aspak kështu. Do të jetë vështirë rënia e tij, për shkak se në Serbi ai është shumë i fuqishëm edhe kontrollon gjithçka, po bëhet fjalë këtu për një regjim autoritar. Ai do të bëjë gjithçka që është e mundur ta fitoj sërish Beogradin, për arsye se nuk dëshiron që askush ta cenoj pushtetin e tij të plotë. Ata përdorin shumë instrumente për t’i manipuluar qytetarët në Serbi”, thotë Krstiq për Tëvë 1.

Gazetari serb, shprehet kritik edhe për disa parti opozitare, për të cilat thotë se bashkëpunojnë me Partinë Progresive Serbe.
Ai konsideron se Vuçiq dhe partia e tij do të qëndrojnë në pushtet edhe për një periudhë të gjatë.

“Unë me të vërtetë e kam të vështirë ta kuptoj se kush e përbën opozitën këtu. Disa nga ta vetëm thonë se janë opozitarë, por në anën tjetër bashkëpunojnë më partinë progresive serbe. Prandaj qytetarët duhet të jenë shumë të kujdesshëm se për kë do të votojnë në zgjedhjet për kryeqytetin. Por ajo që dua të them është se Aleksandar Vuçiq mbetet akoma një lojtar i fortë jo vetëm në Serbi por në të gjithë rajonin. Pavarësisht mënyrës se si ai udhëheq me vendin, ai gëzon një mbështetje të madhe nga disa vende të Perëndimit. Është çudi e madha mënyra se si ai manipulon me të gjithë, dhe vazhdon të jetë kaq stabil”, thotë ai.

Akuzat për parregullsi në zgjedhjet e 17 dhjetorit janë gjetur edhe në rezolutën e Parlamentit Evropian dhe në raportin e ODIHR.

Zgjedhjet për të parin e Beogradit mund të shpallen më së shpejti më 21 prill dhe më së voni për 26 maj.