Stephan Israel

Gazetari nga Brukseli: Regjimi i Serbisë njofton kthimin e ushtrisë në Kosovë, NATO dhe BE ta marrin seriozisht

Gazetari nga Brukseli, Stephan Israel, që merret me çështjet europiane dhe të NATO-s, ka vënë në pah shkrimet nacionaliste kundër Kosovës nëpër hapësirat publike derisa në këtë vend dje qëndroi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Në Serbi vazhdojnë të jenë prezente parullat “Kur ushtria serbe të kthehet në Kosovë”.

Për këtë, Israel thotë se BE dhe NATO duhet ta marrin seriozisht këtë, raporton Gazeta Express.

“BE-ja dhe NATO-ja ndoshta thjesht duhet ta marrin më seriozisht shkrimin në mur. Regjimi i Serbisë njofton kthimin e ushtrisë në Kosovë me mesazhe në mbarë vendin”, ka shkruar ai në X.

Gjatë deklarimit të tij në Beograd, Stoltenberg tha se “grumbullimi i ushtrisë serbe pranë Kosovës s’i ndihmon situatës”.

“Unë llogaris në të dyja palët për të ulur tensionet dhe për të përmbajtur nga përshkallëzimi i veprimeve”, tha Stoltenberg në një konferencë për media me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të martën paradite.

Serbia, në periudhën e kaluar, disa herë ka vendosur trupa pranë kufirit me Kosovën. Kurse, herën e fundit i vendosi pas sulmit në Banjskë, por e ka tërhequr ushtrinë pas ndërhyrjes diplomatike të Perëndimit.

Sulmit terrorist në Banjskë i kishin paraprirë parullat nacionaliste “Kur ushtria serbe të kthehet në Kosovë”.

Madje, ajo ishte shfaqur edhe në një ndeshje futbolli nga tifozët e klubit të futbollit Crvena Zvezda, gjatë një ndeshjeje miqësore me klubin italian Fiorentina, më 26 korrik në Beograd. Në këtë ndeshje prezent ishte edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Për këtë pati reaguar edhe kryeministri Albin Kurti.

“Crvena Zvezda i ka bërë thirrje ushtrisë serbe që të kthehet në Kosovë. Thirrjet për dhunë janë të vazhdueshme”, shkroi ndër tjerash në Twitter kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 27 korrik.