Gazeta serbe, e afërt me Vuciqin, përmend dhjetorin si datë për arritjen e një marrëveshje: Perëndimi po forcon presionin

Presioni ndaj Serbisë për Kosovën ka arritur kulmin, kurse zyrtarët perëndimorë i kanë dorëzuar Beogradit një kërkesë të hapur që deri në dhjetor të gjendet një zgjidhje dhe të arrihet një marrëveshje me Prishtinën për normalizimin e marrëdhënieve.

Me ashpërsimin e konfliktit ruso-ukrainas, qendrat e fuqishme perëndimore po nxitojnë ta mbyllin sa më shpejt çështjen e dialogut Kosovë-Serbi, kurse sipas informacioneve nga burime diplomatike, në të cilat thirret gazeta serbe “Novosti”, pritshmëritë e tyre janë që kjo të ndodhë në një periudhë shumë të shkurtër, për pak javë.

“Në këtë kuptim, presionet ndaj qeverisë serbe janë shtuar, në radhë të parë ndaj presidentit Aleksandar Vuçiq, i cili përmes kanaleve diplomatike zyrtare dhe joformale po merr mesazhe se është koha për të prerë nyjën e Kosovës”, shkruan gazeta serbe.

Sipas gazetës, lidhur me këtë ka folur vetë Vuçiqi, i cili ka paralajmëruar se ata me të cilët ka folur në lidhje me Kosovën nuk ia kanë përmendur vitin 2024, të cilin i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Miroslav Lajçak e ka prezantuar si vit për arritjen e marrëveshjes dhe se tashmë nuk bëhej fjalë as për muaj, por për javë.

“Për të gjitha këto presione presidenti Vuçiq do të informojë opinionin nesër mbrëma (e enjte), gjatë një paraqitje në ‘TV Prva’ në orën 21:00”.

Sipas disa informacioneve, në këtë shtrëngim të përshpejtuar të rrethit rreth Serbisë, si pikënisje për një marrëveshje të mundshme mes Beogradit dhe Prishtinës, shihet propozimi i kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe presidentit francez Emmanuel Macron, respektivisht modeli i dy Gjermanive.

Më tej gazeta shkruan se “thelbi i kësaj ‘oferte të pahijshme’ është se Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por nuk e kundërshton anëtarësimin e saj në Kombet e Bashkuara.