Gazeta italiane vendos titull racist, ngjallë reagime të shumta

Gazeta italiane “Corriere dello Sport” ka tronditur me ballinën e së enjtes, kontroverse dhe raciste, për ndeshjen derbi të së premtes mes Interit dhe Romës.

Titulli “E premtja e zezë”, me dy lojtarët me ngjyrë Romelu Lukakun e Interit dhe Chris Smallingun e Romës në fotografinë e ballinës së gazetës, kanë nxitur reagime të mëdha të enjten.

Gazeta italiane me këtë i është referua fenomenit e premtja e zezë, para ndeshjes mes Interit dhe Romës këtë të premte.

Megjithatë, ballina i referohej edhe dy lojtarëve me ngjyrë të transferuar në Inter dhe Romë, përkatësisht, nga Manchester Unitedi këtë verë.

Nuk është çudi që zgjedhja që ka bërë gazeta për ballinë ka shkaktuar kritika të mëdha në rrjetet sociale, me dy klubet në fjalë dhe Fiorentinën që kanë reaguar ashpër ndaj të përditshmes italiane.

E tërë kjo vjen vetëm një javë pasi 20 klubet e Serie A e nënshkruan një letër duke kërkuar masa të rrepta kundër racizmit, pasi ky sezon është prishur tashmë nga incidentet e shëmtuara raciste.

Corriere dello Sport nuk e ka hequr ballinën ende e as nuk ka reaguar me ndonjë deklaratë, vetëm se ka nënvizuar se shumë italianë nuk e kuptojnë çfarë është racizmi.