Trajneri i Milanit

Gattuso thotë se Musacchio do të bëjë të pamundurën për të luajtur ndaj Juventusit

Mbrojtësi i Milanit, Mateo Musacchio u përplas me shokun e tij të skuadrës, Frank Kessie në ndeshjen e mbrëmshme kundër Real Betisit në Europa League, duke ngjallur frikë për një moment.

Sidoqoftë Gennaro Gattuso pret që ish lojtari i Villarrealit të kthehet për super sfidën e së dielës ndaj Juventusit në Serie A.

Musacchio u duk për pak çaste se e humbi vetëdijen, por raportohet se pas takimit me Betisin, 28 vjeçari ka qenë në gjendje të ec pa problem, ndërsa Gattuso dha detaje edhe për të lënduarit tjerë te Milani.

“Duke e njohur temperametin e Musacchios, ai do të bëjë gjithçka që të jetë i gatshëm për Juventusin. Calhanoglu kishte një goditje të zakonshme në majen e këmbës. Më duhet të pres se çfarë do të thotë doktori për sa kohë unë jam vetëm trajner. Do të luajmë me ata që janë të gatshëm, arsyetimet nuk na dërgojnë askund. Juventusi është një nga skuadrat më të mira në Europë por ne nuk do të fillojmë të qajmë, do ta luajmë futbollin tonë”, tha Gattuso.

Trajneri italian ishte i kënaqur me karakterin e treguar nga lojtarët e tij në përballjen me Betisin, ndërsa shtoi se formacioni 3-4-3 i funksionoi më mirë ndaj andaluzianëve.