"Rusia 2018"

Franca në majën e botës, shqiptarët e Zvicrës lanë shenjën e tyre në Kampionatin Botëror ‘Rusia 2018’

Kombëtarja e Francës kurorëzoi me titullin kampion, udhëtimin e tyre fantastik në Kupën e Botës që u mbajt në Rusi gjatë verës së vitit 2018. “Gjelat” u rikthyen në majën e botës, pikërisht 20 vite pas suksesit të fundit të arritur.

Francës i mjaftuan 7 pikë me 3 gola të shënuar, për të kaluar grupin si lider ku ndodheshin edhe Peru, Australia dhe Danimarka. Skuadra e Deschamps që u kritikua shumë për mënyrën e lojës, në rundin e parë me eliminim direkt, la jashtë kompeticionit Argjentinën e Lionel Messit në një përballje të jashtëzakonshme që përfundoi 4-3 në të mirë të evropianëve. Në çerekfinale, Franca kishte një tjetër kundërshtar nga Amerika Latine, teksa kësaj rradhe rezervohej sifda ndaj Uruguait. Francezët e fituan këtë ndeshje shumë thjesht me golat e Varane dhe Griezmann.

Kishte mbetur edhe një hap tjetër drejt finales, dhe në gjysmëfinale Franca përballej me Belgjikën që nga ana e saj kishte eliminuar 5 herë kampionët e botës, Brazilin. Një ballafaqim tejet taktik larg pritjeve për një spektakël, Franca kaloi “Djajtë e Kuq” me golin e Samuel Umtiti. Testi i fundit parashikonte për kundërshtar, mrekullinë e Kampionatit Botëror të mbajtur Rusi, Kroacinë. Ballkanasit kishin dhuruar paraqitje mahnitëse në fazën grupore, duke i shkaktuar një humbje të thellë edhe Argjentinës në shifrat 3-0, ndërsa pa probleme kishte mposhtur 2-0 Nigerinë në sfidën hapëse dhe Islandën 2-1 në ndeshjen e fundit në grup. Për të arritur deri te finalja me Francën, Kroacisë iu nevojit edhe një mrekulli në takimin me Danimarkën në 1\16-tën, gjersa eliminoi kombëtaren skandinave vetëm pas ekzekutimit të penalltive, ndërsa parprakisht në vazhdime, kapiteni Luka Modric kishte humbur një penallti.

Aleat i Kroacisë ishin sërish penalltitë në çerekfinale përballë vendit pritës, Rusisë. Trilleri brenda 120 minutave vazhdoi edhe te penalltitë ku kroatët u treguan sërish më të saktë duke u kualifikuar për në gjysmëfinale. Në këtë fazë Krocia tregoi një tjetër paraqitje heroike, ndërsa përmbysi avantazhin fillestar të Anglisë, për të kaluar në finalen e madhe vetëm pas vazhdimeve.
Lodhja e akumuluar gjatë rundeve paraardhëse ndikoi në performancën e Kroacisë në finalen përballë Francës, me skuadrën e Dalic që praktikisht kishte zhvilluar një ndeshje me shumë se ajo e Deschmaps.

Finalja nuk kishte shumë histori me rezultatin 4-2, teksa Franca u rikthye te suksesi i madh pas 20 viteve të trofeut të parë të arritur pikërisht në Francë. Në anën tjetër zhgënjimi ishte i madh për kroatët që me gjeneratën e mrekullueshme nuk arritën të shkruajnë historinë, pavarësisht se e kishin superuar vendin e tretë të arritur po ashtu para 20 viteve nga Davor Suker me shokë.

Një pjesë interesante dhe që ngjalli emocione të shumta te shqiptarët ishin ndeshjet e Zvicrës me theks të veçantë ajo kundër Serbisë. Zvicra ndodhej në grupin E bashkë edhe me Brazilin e Kosta Rikën, me Shaqirin, Xhakën, Behramin dhe Xhemailin që siguruan kalimin për në fazën tjetër pasi që e përfunduan grupin në vendin e dytë pas Brazilit, derisa prapa lanë Serbinë. Nata e 22 qershorit kur u zhvilua përballja mes Zvicrës dhe Serbisë emocionoi në masë të madhe të gjithë shqiptarët që iu gëzuan golave të Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit të cilët golat i festuan duke bërë shqiponjën, derisa këta gola ishin të mjaftueshëm për të mposhtur kombëtaren e Serbisë dhe t’i komplikonin gjasat e kualifikimit për ta. Sidoqoftë aventura e Zvicrës nuk zgjati shumë, teksa i dhanë lamtumirën Kupës së Botës në turin pasardhës, duke u dorëzuar para Suedisë.

Befasia më e madhe e këtij Kampionati Botëror ishte kampioni në fuqi, Gjermania e cila u eliminua që në fazën e grupeve, teksa kishte punë me kombëtare si Meksika, Suedia dhe Korea e Jugut. “Panzerat” koleksionuan dy humbje e një fitore që nuk ishte e mjaftueshme për të kaluar tutje, derisa edhe këtë vit u konfirmua “mallikimi” për kampionët në fuqi që nuk kishin arritur të kalonin fazën e grupeve, ashtu siç kishte ndodhur me Spanjën në vitin 2014, Italinë në 2010 dhe Francën në 2002.

Paraqitje negative patën edhe Spanja, teksa iberikëve i kushtoi shtrenjtë shkarkimi i përzgjedhësit, Julen Lopetegui, një ditë para startit të Kampionatit, ndërsa drejtimin e “La Rojas” e mori Fernando Hierro. Ish lojtari i Real Madridit ia doli të kualifikoi një herë kampionin e Botës për në fazën me eliminim direkt, ku u eliminua nga nikoqiri, Rusia pas ekzekutimit të penalltive. Edhe Portugalia e Cristiano Ronaldos që ndodhej në të njëjtin grup me Spanjën i dha lamtumirën Kampionatit Botëror menjëherë në fazën e 1\16-ve, gjersa u mposht 2-1 nga Uruguai.

Surprizë e ëmbël ishte arritja e Anglisë deri në gjysmëfinale të turneut, pavarësisht se skuadra e Gareth Southgate nuk ishte llogaritur se mund të arrijë një sukses të tillë. Zhgënjimi mbeti te tifozët e “3 Luanëve” që mendonin se ky ishte viti i duhur për të rikthyer trofeun në shtëpi, pas 52 viteve.

Ndodhi interesante ishte edhe eliminimi i Senegalit nga faza e grupeve në bazë të rregullit të Fair Play. Kombëtarja afrikane hyri në histori për një eliminim të tillë që nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë. Në takimin e fundit të grupit, Senegali u mposht 1-0 nga Kolumbia, ndërsa me të njëjtin rezultat disfatë pësoi edhe Japonia nga Polonia, por aziatikët u kualifikuan për në fazën tjetër për shkak të numrit më të vogël të kartonëve.

Golashënuesi më i mirë i Kampionatit Botëror ishte Harry Kane me 6 gola, kurse në total u realizuan 169 gola, 2.64 për ndeshje. Në 64 përballjet e zhvilluara në Rusi, kishte 3 milionë e 31 mijë e 768 shikues, mesatarisht 47 mijë e 371 për çdo takim.