17 prill

Fotografi historike: Luftetarët e Baballoqit në Tropojë, prill 1998

16 prill 1998. Kjo datë kujtohet me krenari dhe lavdi. Është data kur ushtarët e parë të organizuar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën e Dukagjinit nisën shtigjeve të lirisë.

Është data ku qindra ushtarë të Dukagjinit të prirë nga komandanti i Zonës, Ramush Haradinaj u nisën rrugës për Shqipëri. Shkuan për t’i sjellë armët e para në mënyrë të organizuar.

Në mesin e këtyre trimave ishin edhe 14 luftëtarë nga fshati Baballoq të cilët iu përgjigjen thirrjes për liri.

Ndërsa sot kujtohet Dita e Veteranëve, Ballkani.info sjellë fotografinë e luftetarëve të Baballoqit që kishin shkuar për armë në Shqipëri.

Kjo fotografi emblematike është bërë më 17 prill të vitit 1998 në Tropojë, afër shtëpisë së ish presidentit dhe ish kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha.

Në fotografi janë edhe disa dëshmorë të kombit nga Baballoqit. Aty janë edhe dëshmorët e parë, Ramiz Batusha e Zenun Mataj…

Ramiz Batusha (Majtas) dhe Zenun Mataj, dëshmorët e kombit

Për më shumë, ju sjellim rrëfimin e plotë të Florim Matajt, për të pathënat e Betejës së Baballoqit, frontin e parë të luftës së UÇK-së në Dukagjin

16 prill 1998. Kjo datë kujtohet me krenari dhe lavdi. Është data kur ushtarët e parë të organizuar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën e Dukagjinit nisën shtigjeve të lirisë. Është data ku qindra ushtarë të Dukagjinit të prirë nga komandanti i Zonës, Ramush Haradinaj u nisën rrugës për Shqipëri. Shkuan për t’i sjellë armët e para në mënyrë të organizuar.

Në mesin e këtyre trimave ishin edhe 14 luftëtarë nga fshati Baballoq të cilët iu përgjigjen thirrjes për liri. Njëri nga ata ishte Florim Mataj, i cili aso kohe edhe pse i ri me moshë, vendosi të mos ndahet nga shokët.

Florimi i cili pas konsolidimit të shtabit të UÇK-së në Baballoq do të emërohej zv/komandant dhe përgjegjës i pikës, rrëfen ekskluzivisht të gjitha ngjarjet që e përcollën atë gjatë luftës, respektivisht për betejën e madhe të Baballoqit,shkruan Lajm.net

“Më 20 prill të vitit 1998 hymë në Kosovë. U ndalëm në fshatin Smolicë. Ishte ora 5 e mëngjesit dhe ne të gjithë ishim të ngarkuar me armatim të rëndë deri në 50 kilogramë”, nis rrëfimin Florim Mataj.

Në mesin e atyre që shkuan herën e parë për armatim ishin edhe shumë dëshmorë të kombit, për të cilët Florimi flet vazhdimisht.

“Më 18 prill të vitit 1998 banorët e fshatit Baballoq dalin publikisht dhe me 4-5 armë që i kishin rreshtohen të xhamia e fshatit. Aty ishin mbi 140 luftëtarë. Organizatorët kryesorë të kësaj ngjarjeje ishin Faik Doda, i cili më vonë emërohej komandant i fshatit dhe Adem Mataj, përgjegjës i vijave të frontit dhe përfaqësues i fshatit Baballoq në shtabin qendror në Gllogjan. Kthimi ynë më 20 prill u prit heroikisht dhe mobilizimi mori hov të paparë”, rrëfen ai.

Sjellja e armatimit nga fshati Smolicë për në Baballoq e më pas shpërndarja në fshatrat tjerë të Dukagjinit është rrëfim në vete.

“…një pjesë të armatimit e kemi ngarkuar në disa automjete (traktorë), tjerët e mbanim në shpinë, si dhe në kuaj. E kemi bllokuar magjistralen Deçan-Gjakovë, në fshatin Hereçë dhe i kemi kaluar automjetet përplot me armatim. Ka qenë ndjenjë e papërshkruar, ka qenë ndjenjë lirie qysh atë ditë”.

“Pas kthimit në Baballoq me armatim, diku në mbrëmje, të gjithë luftëtarët e fshatit tonë kemi fjetur në odën e Ramë Matajt. Ishim të rraskapitur, por krenar. Mirëpo, para se të flinim, dëshmori i kombit, Ramiz Batusha na tha qe duhet të na qethte të gjithëve, sepse duhet të dukeshim tamam si ushtarë”, e kujton këtë moment të paharruar Florimi.

Fillimi i luftës në Baballoq

Është mëngjesi i 21 prillit të vitit 1998. Ushtarët e lirisë, djemtë e rinj dhe papërvojë ushtarake, dalin të stërvitin dhe t’i provojnë armët që i kishin sjellë nga Shqipëria. Mirëpo, ushtrimet ndërpriten në gjysmë. Suka e Baballoqit pushtohet nga forcat e mëdha serbe… nisin granatimet e para të ushtrisë dhe policisë serbe mbi Baballoq. Kjo shënon edhe fillimin e luftës.

“Ka qenë saktësisht ora 10 e 45 e mëngjesit kur i kemi dëgjuar krismat e para. Ky moment llogaritet edhe fillimi i luftës frontale në Zonën e Dukagjinit. Zjarrit iu përgjigjem me zjarr. Plumbat e parë kundër forcave serbe janë shkrepur nga pozicionet tona që ishin në Kullat e fshatit. E dihet se në Baballoq ka pasur shumë Kulla të gurit. Fillimi i luftës ishte shumë i vështirë, por forcat e armikut atë ditë e kuptuan se ne e kishim marrë seriozisht luftën për liri dhe se do të rezistonim deri në fund, gjë që edhe ashtu doli. Armiku sapo tentoi të hyjë në fshat, nga kundërzjarri ynë, u detyrua të qëndrojë në pozicionet fillestare”, tregon Florimi momentet e para të betejës së përgjakshme të Baballoqit.

Fillimin e luftës në Baballoq, si vija e parë e frontit në Dukagjin, e kishte përcjellë nga afër Ramush Haradinaj, tash kryeministër i Kosovës, aso kohe komandant i Zonës së Dukagjinit. Ai bashkë me vëllezërit kishte ardhur menjëherë në Baballoq.

“Erdhi Ramushi, Shkëlzeni, Dauti, Nasimi… Na dhanë kurajo dhe motiv që të organizoheshim edhe më shumë dhe të rezistonim edhe më trimërisht. Kjo bëri që ne si fshat të fillojmë organizimin e mirëfilltë të shtabit tonë, duke i vendosur pikat dhe duke e krijuar edhe komponentin e logjistikës. I vendosëm pikat përballë forcave serbe duke filluar nga fshati Gramaçel, afër Sukës sonë që ishte edhe pika e parë mbrojtëse ku unë komandoja. Pikat tjera ishin përreth Sukës dhe në zona të caktuara ku forcat armike synonin të futeshin në Baballoq. Rruga kryesore ishte e minuar”, thekson Florimi.

Ai dhe të tjerët kishin shkuar më pas në Shqipëri për të sjellë armatim edhe 4-5 herë tjera.

Që nga prilli e deri në fund të gushtit të vitit 1998 janë dhjetëra grupe që shkuan në Shqipëri për të sjellë furnizime me armatim. Rrugët e shkuarjes po bëheshin gjithnjë e më të vështira, rreziku rritej, por po rritej edhe ndjenja se çlirimi i vendit nuk ndodh pa gjak dhe pa sakrifica.

Granatime nga të katër anët…

“Kemi qenë një nga fshatrat më të organizuar në Dukagjin. Pas 10 ditëve të para të nisjes së luftës, filluam organizimin e duhur. Organizimi i fshatit tonë u vlerësua edhe nga komandanti i Zonës, Ramush Haradinaj. Ky organizim bëri që kjo vijë e parë e frontit të funksiononte në mënyrë profesionale”, tregon Florimi.


Florim Mataj

Nga organizimi i fshatit e deri në rënie ishin mbi 150 luftëtarë të Baballoqit, mirëpo kohë pas kohe në fshat kanë qëndruar ushtarë edhe nga vende tjera, sepse fronti aty llogaritej më i vështiri dhe ishte ballafaqim i drejtpërdrejt me armikun.

Po ashtu Baballoqi ishte edhe si pikëkalim për të gjithë ata që shkonin në Shqipëri për armatim. Dhe luftëtarë nga të gjitha viset kanë kaluar dhe luftuar në Baballoq.

Duke e parë qëndresën e Baballoqit dhe pozitën strategjike, ky fshat ishte cak i sulmeve me armatim të rëndë të ushtrisë serbe.

“Mbi katër muaj jemi sulmuar vazhdimisht nga të katër anët. Jemi goditur me armatim të rëndë nga vendi i ashtuquajtur ‘podi i gështenjave’ në Deçan, nga Suka e Biteshit, nga Suka e Baballoqit, Cërmjanit, etj. Ishin granatime të pandalshme. Ishte torturë vetëm zhurmat e granatave dhe topave të dëgjoheshin e lërë më të qëndrosh në zonën ku ato binin. Por ajo që kam parë të djemtë ishte epike, ishte diçka që zor përshkruhet me fjalë. Të papërvojë ishim gati të gjithë, por vullneti dhe trimëria e treguar i tejkaloi të gjitha pritjet”, kujton Florimi.

Ramiz Batusha, dëshmori i parë

25 maj 1998. Në këtë ditë të kobshme bie heroikisht dëshmori i parë i Baballoqit dhe dëshmori i parë pas betejës së Gllogjanit të 24 marsit. Luftëtari i pashoq, shembulli i rinisë së fshatit, djaloshi që ua qethte flokët gjysmës së fshatit… bie heroikisht për të mos vdekur kurrë!

Ramiz Batusha u bë sinonim i luftës për liri, luftës kundër pushtuesit shekullor. Ramizi u vra që të tjerët të marrin forcë nga guximi i tij, të marrin vullnet që luftën ta qojnë deri në fund.

Edhe pse i plagosur, Ramizi në ditën e rënies vendosi të shkonte front. Askush nuk mundi ta ndalte që t’ju bashkohej shokëve në pikën e parë të zjarrit.

“Rënia e Ramizit ishte përjetim i rëndë. Ishte djaloshi që ne e merrnim si shembull për gjithçka. Na goditi rëndë vdekja e tij, mirëpo edhe na dha forcë që amanetin e tij ta qojmë deri në fund”, rrëfen Florimi.

Florimi tregon se si ishte pikërisht Ramush Haradinaj ai që e varrosi Ramizin afër xhamisë së fshatit dhe se si i motivoi ata për ta përballuar këtë humbje të madhe.

“Pasi që e varrosëm Ramizin, komandanti Ramush Haradinaj në mbrëmje na mbajti fjalim dhe na dha kurajo e mbështetje. Ai na rrëfeu edhe ngjarjen e ditës së rënies së vëllait të tij, Luanit në kufirin me Shqipërinë, në vitin 1997”, tregon ai, duke shtuar se kjo ishte motivuese për të vazhduar tutje.

Dëshmorët e Baballoqit

Pas Ramiz Batushës, në altarin e lirisë bie edhe Nexhat Humaj. Nexhati, shumë i ri në moshën, vritet më 9 gusht në Baballoq. Nexhati bie heroikisht afër lagjes së Bytyqëve. Aty plagoset rëndë edhe Zenun Mataj. Më 26 gusht, Zenun Mataj ndërron jetë në fshatin Pagarushë të Malishevës, pasi që paraprakisht ishte trajtuar në spitalet e improvizuar ushtarake në fshatrat Irzniq dhe Bërliq.

“Zenuni ishte luftëtar i shquar, komandat i njërës nga pikat e mbrojtjes. I kishte nën komandë mbi 20 ushtarë. Ishin djem të mrekullueshëm, na jepnin motiv. Edhe sot jam krenar që kam qenë bashkëluftëtar i tyre”, thotë Florimi.

Pas rënies së Baballoqit në ofensivën e 11 gushtit të vitit 1998, ushtarët e këtij fshati iu bashkuan brigadave të UÇK-së dhe vazhduan deri në fund të luftës.

Që nga ajo kohë, nga ky fshat dëshmor bien edhe Milaim Gjoci, Avni Sinani, Agron Gjoci, Milazim Shala, Izet Beqiri, Asllan Batusha, Kujtim Qallaku, Demush Bardheci dhe Muhamet Bardheci.

Më 18 gusht të vitit 1998 Milaim Gjoci, Avni Sinani dhe Agron Gjoci bien heroikisht në trekëndëshin kufitar Kosovë-Shqipëri-Mali i Zi, në tentimin për të marrë armatim. Se bashku me ata ishin edhe disa luftëtarë të Baballoqit të cilët mbesin ta plagosur dhe sot janë invalid të luftës.

“Të tre këta dëshmorë, Milaim Gjoci, Avni Sinani dhe Agron Gjoci, treguan se për ta lufta nuk kishte përfunduar me rënien e Baballoqit, prandaj e vazhduan luftën ku edhe ranë heroikisht në trekëndshin kufitar”, vazhdon Florim Mataj.

Milazim Shala dhe Izet Beqiri kanë rënë dëshmorë në betejën e Koshares, kurse Asllan Batusha vëllai i vogël i dëshmorit të parë të Baballoqit, Ramiz Batusha, ka rënë heroikisht në betejën e Gjakovës.

Milazim Shala ishte njëri ndër organizatorët dhe përgjegjësit e pikës në Baballoq, ku e bënte vëzhgimin e vijave të para të frontit deri në Rastavicë.

Pas rënies së Baballoqit, Milazim Shala sistemohet në Koshare, në Brigadën 138 “Agim Ramadani”.

“Në këtë brigadë pata fatin të isha dhe unë dhe ta vazhdoja luftën se bashku me Milazimin, dhe me dhjetëra luftëtarë të Baballoqit”, thotë Florimi.

Më 31 maj të vitit 1999 Milazimi bie heroikisht në Koshare.

“Izet Beqirajn nuk e kam takuar në Baballoq, gjatë betejës, por për trimërinë e tij në Koshare flasin bashkëluftëtarët dhe komandanti Rrustem Berisha. Flijimi i tij ishte heroik dhe i pashembullt në Rrasë të Koshares”, vazhdon tutje ai.

Dëshmori tjetër i kombit nga Baballoqi i sistemuar në brigadën 131 “Jusuf Gërvalla”, Asllan Batusha, bie heroikisht në hyrje të Gjakovës. Ai e ndiqte rrugën e vëllai të tij dëshmor, Ramizit.

Kujtim Qallaku u sistemua në Njësitin Special “Shqiponjat e Zeza” dhe bie dëshmor në Kralan të Gjakovës.

Demush Bardheci vritet heroikisht gjatë masakrës së Mejës.

Muhamet Bardheci është vrarë në fshatin Nec të Gjakovës, duke rënë në pritë gjatë marrjes së armatimit.

Baballoqi ka dhënë edhe martirë për Kosovën. Ndërsa në beteja kanë mbetur të plagosur edhe dhjetëra luftëtarë.

Pitja e nënës Hate që Ramizi e ndau me shokët

Florim Mataj rrëfen për një ngjarje interesante gjatë rrugëtimit për të marrë armatim në Shqipëri herë e parë, më 16 prill të vitit 1998.

“Të entuziazmuar se do të shkojmë të marrim armatim, neve as që na ka rënë ndërmend që të marrim ushqim me vete. Kjo edhe për faktin se nuk e dinim as sa larg është armatimi e as Shqipëria. Kah mesi i rrugës na mori uria shumë, u lodhëm, mirëpo në atë moment del në skenë njeriu i zgjidhjes së situatave. Ramiz Batusha tha: o djem, unë me vete kom marrë pite, ma ka qitë nana Hate”, rrëfen Florimi, duke shtuar se Ramizi para nisjes i kishte thënë nënës së tij që ta gatuante një pite se do të shkojnë në Shqipëri për armatim e nuk e dinë sa e gjatë është rruga.

E udhëtimi vetëm në një drejtim zgjaste 12 orë…

Organizimi i fshatit

Komandant i fshatit Baballoq ishte caktuar të jetë Faik Doda, profesori i letërsisë shqipe. Zv/komandant u emërua Florim Mataj, protagonisti i rrëfimit tonë.

Përfaqësues i Shtabit ishte Adem Mataj.

Komandantë të pikave ishin: Florim Mataj, Florim Zhubi, Xhevdet Mataj, Sami Gjoci, Zenun Mataj, Milazim Shala, Milaim Gjoci dhe Ukë Shala.

Logjistika e fshatit përbëhej nga Qamil Mataj dhe Latif Gjoci