Kosova do të zhvillojë katër përballje në Ligën e Kombeve, dy kundër Austrisë, një ndaj Irlandës dhe një me Izraelin. Megjithatë, pensionimi i Amir Rrahmanit mori vëmendjen e madhe, me kapitenin që njoftoi se nuk do të luajë më për “Dardanët”, duke shfaqur pakënaqësi me drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës. ⚽
Të dielën u raportua se edhe “gjashtë lojtarë të tjerë, të drejtuar nga Edon Zhegrova, do të ndjekin hapat e Rrahmanit”, ndërsa në këtë listë ishte edhe portieri Muric, pranë emrave si Vedat Muriqi, Milot Rashica dhe Florent Muslija.
E mesfushori i Freiburgut dhe i Kosovës, i cili është aktualisht i lënduar, ka thyer heshtjen duke thënë se ai gjithmonë luan me krenari për vendin e tij dhe se ajo që është raportuar për të është shpifje. 💥
Në një prononcim për Gazetën Olle, Muslija ka thënë se, sikur të mos ishte i lënduar, me kënaqësi do t’i bashkohej Dardanëve për ndeshjet e shtatorit.
🗣️“Faleminderit që më kontaktuat. Më vjen keq që emri im është përfolur për bojkot ose diçka të tillë. Unë jam i lënduar fatkeqësisht, por sikur të isha shëndoshë e mirë, si gjithmonë me kënaqësi do të vija të luaja për vendin tim. Këto janë shpifje”, tha Muslija për 𝙂𝙖𝙯𝙚𝙩𝙖 𝙊𝙡𝙡𝙚.
Tutje, Muslija ka thënë se krenaria e tij më e madhe është që e vesh fanellën e Kombëtares së Kosovës dhe se Kosova ka nevojë të jetë e bashkuar para ndeshjeve shumë të rëndësishme në Ligën e Kombeve. 💪🇽🇰
🗣️“Unë vij të luaj për vendin tim, për Kosovën, nuk vij të luaj për asnjë person tjetër. Të vesh fanellën e Kombëtares është krenaria ime më e madhe. Shpresoj që emri im të mos përdoret kurrë për lajme të tilla përçarëse. Kosova ka nevojë të jetë e bashkuar, se na presin ndeshje shumë të rëndësishme”, ka thënë Florent Muslija.







