Sulmuesja e Lyonit dhe kombëtares së Norvegjisë, Ada Hegerberg u bë fituesja e parë femër e Topit të Artë, por ky sukses historik mbeti nën hijen e DJ-të francez, Martin Solveig që e pyeti 23 vjeçaren nëse di të bëjë vallëzimin “Twerk”.
Hegerberg refuzoi duke thënë jo dhe pas këtij momenti la skenën, teksa ky zhvillim ngjalli shumë reagime në rrjetet sociale që e cilësuan DJ-në francez si një ngacmues seksual.
Pas incidentit Hagerberg zbuloi se janë sqaruar me Solveig duke thënë se nuk e ka konsideruar si ngacmim seksual pyetjen e francezit.
“Kam pasur shumë pyetje lidhur me këtë çështje. Ai erdhi te unë dhe tregoi se ishte shumë i mërzitur me rrjedhën e situatës. Nuk e kam konsideruar si ngacmim seksual. Për të qenë e sinqertë, isha e lumtur që e fitova Topin e Artë”, u shpreh Hegerberg.
DJ francez përmes një postimi në Twitter theksoi se anglishtja e tij e dobët ndikoi në mënyrën e të shprehurit, ndërsa kërkoi falje nga të gjithë që janë prekur nga fjalët e tij.
“Sigurisht se nuk kam dashur ta ofendojë askënd. Kjo vjen nga anglishtja ime e dobët dhe nuk e kam menduar se mund të shihet si ofenduese pyetja ime. Kjo ishte një shaka e keqe dhe unë dua të kërkoj falje nga të gjithë njerëzit që kam mundur t’i ofendoj”, tregoi Solveig.







