Fitore bindëse në shtëpi, Chelsea & Napoli me një këmbë në çerekfinale

Chelsea ka fituar 3-0 ndaj Dinamo Kyiv në Stamford Bridge dhe mund të thuhet se është me një këmbë në çerekfinale.

Gjithsesi, 90 minutat e dyta që do të luhen në Ukrainë do të jenë të vështira dhe Sarri do të mundohet të mbajë në maksimum përqendrimin e të tijve.

Ishte Pedro ai që zhbllokoi rezultatin në minutën e 17’ teksa Willian dyfishoi në minutën e 65’ me një goditje të bukur nga distanca.

Hudson-Odoi e ka bërë praktikisht të kryer kualifikimin e The Blues në çerekfinale me golin e tij në fund të takimit.

Sarri ka lënë dy yjet e ekipit Higuain dhe Hazard pushim për këtë ndeshje, duke i mbajtur të freskët për sfidën e radhës në Premier League.

Napoli ka fituar 3-0 ndaj Salzburg duke shfaqur një lojë dominuese dhe me kualitet të madh ndaj austriakëve.

Italianët shënuan dy gola në 18 minutat e para me Milik dhe Ruiz, dërsa autogoli i Onugene në pjesën e dytë ka vulosur kualifikimin për napolitanët.

Do të luhen 90 minuta të tjera në Austri, por me 99% Napoli do të avancojë pas paraqitjes fantastike, sidomos në pjesën e parë.

Valenca e ka pasur më të vështirë sesa ishte parashikuar ndaj Krasnodar, kjo tregon se nuk ka më skuadra të lehta për t’u mundur as në Europa League.

Gjithsesi, spanjollët kanë fituar 2-1 falë dygolëshit të Rodrigo-s në pjesën e parë. Megjithatë, miqtë do të luajnë për ta fituar ndeshjen e kthimit brenda në shtëpi dhe goli i Claesson i ka dhënë shpresa te përmbysja e madhe.