Superliga

Fitojnë Ballkani, Llapi, Dukagjini dhe Gjilani, Drita ndalet me barazim nga Feronikeli ‘74

Kanë përfunduar të gjitha ndeshjet e javës së 34-t në Superligën e Kosovës.

Ballkani regjistroi fitoren e katërt rresht për të vazhduar garën për titullin e kampionit.

Kampioni në fuqi triumfoi si vendas ndaj Fushë Kosovës me rezultatin 3:0.

Walid Hamidi, Almir Kryeziu dhe Bernard Karrica realizuan golat e fitores për therandasit.

Ballkani tani ka 72 pikë dhe vazhdon kryesimin në tabelë. Ndërsa, Fushë Kosova është e parafundit me 20 pikë.

Te fitorja u rikthye sot Llapi, që vazhdon të jetë në garë me Ballkanin për titull.

Llapjanët në “Zahir Pajaziti” triumfuan me rezultatin minimal 1:0 ndaj Malishevës. Tri pikët atyre ua siguroi Ahmed Januzi.

Llapi pas kësaj fitore ka 68 pikë në pozitën e dytë. Malisheva është e katërta me 53 sosh.

Drita ka zbehur në maksimum gjasat për t’u kurorëzuar me titullin e kampionit, pasi sot nuk mori më shumë se një pikë nga përballja me Feronikelin ’74.

Ndeshja e luajtur në Gjilan u mbyll baras dhe pa gola.

Drita tani ka 66 pikë dhe vazhdon të jetë e treta në tabelë. Ndërsa, “Nikli” është i teti me 38 pikë.

Fitore edhe në këtë xhiro regjistroi Dukagjini, që në “18 Qershori” mposhti Prishtinën me rezultatin 1:0.

Redon Syla ishte autori i golit të tri pikëve për klinasit.

Dukagjini tani ka 45 pikë në pozitën e gjashtë, vetëm një më pak se Prishtina, e cila mban pozitën e pestë.

Fitore të rëndësishme mori edhe Gjilani, që tani i ka ikur pozitës së barazhit.

Gjilanasit triumfuan si mysafirë të Lirisë me rezultatin 1:3.

Kushtrim Shabani realizoi dy gola në këtë përballje, kurse një tjetër shtoi Senad Jarovic.

Për prizrenasit goli i vetëm erdhi nga Dajan Shehi, i cili realizoi autogol.

Gjilani pas kësaj fitore ka 39 pikë dhe tani renditet i shtati në tabelë.

Liria është e fundit me 14 pikë të grumbulluara.