Sulmuesi Fisnik Asllani shënoi gol për Hoffenheimin e mbrojtësi Albian Hajdari asistoi.

Dhe me kontributin e dy futbollistëve të Kosovës, Hoffenheimi fitoi 2:1 në udhëtimin e vështirë te Hamburgu të shtunën, në xhiron e 31-të të Bundesligës.

Me këtë trepikësh, Hoffenheimi ka bërë hap të madh drejt pozitës së katërt që siguron Ligën e Kampionëve.

Hoffenheimi i ka 57 pikë në vendin e katërt, një më shumë se Stuttgarti që e ka një ndeshje më pak të luajtur.

Hamburgu vazhdon garën për mbijetesë. I 14-ti i ka 31 pikë, me një ndeshje më shumë të luajtur se Werder Bremeni i 15-ti, që i ka 31 pikë po ashtu.

Asllani në minutën e 18-të e shënoi golin e dhjetë në këtë edicion të Bundesligës. Ndërkohë, Hajdari asistoi në minutën e 45-të për 2:1 dhe rezultati nuk ndryshoi më.

Përveç dhjetë golave të shënuar, Asllani i ka edhe gjashtë asistime.

Ndërkohë, Hajdari e ka një gol e dy asistime.