FFK: Prokuroria do t’i intervistojë kryetarët e klubeve që i akuzuan për korrupsion referët dhe federatën

Federata e Futbollit e Kosovës ka reaguar ndaj presidentëve të Feronikelit, Ballkanit dhe Llapit, të cilët janë çuar në këmbë kundër gjyqtarëve dhe vet Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK).

Naser Ramaj i Feronikelit, Arsim Kabashi i Ballkanit dhe Beqir Batatina i Llapit, janë ankuar se investimet e mëdha të tyre po qiten poshtë nga referimi skandaloz dhe tendencioz, duke e fajësuar edhe FFK-në.

Ata u kanë bërë thirrje edhe klubeve tjera elitare që t’u bashkohen në iniciativën për ta menaxhuar vet IPKO Superligën, pa përzierje të shtëpisë së futbollit.

Ramaj ka shkuar aq larg sa që ka deklaruar se në Kosovë referët po i shesin ndeshjet me çmime prej 3 mijë deri në 5 mijë euro.

Me këto akuza Federata e Futbollit është e sigurt se do të merret prokuroria. “Kemi informacion se prokuroria i ka parë këto akuza dhe ka filluar të merret me rastin. Ata që i kanë dhënë këto deklarata do të intervistohen nga prokuroria”, ka deklaruar për Gazetën Express, sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu.

Sipas tij, pretendimet e Feronikelit, Llapit dhe Ballkanit nuk qëndrojnë. “Qëllimi i tyre është i qartë. Ata duan t’i bëjnë presion kryetarit të FFK-së, Agim Ademit. Ne u sugjerojmë që t’i presin zgjedhjet dhe ta lënë njeriun të punojë sepse është duke punuar shumë mirë me gjithë ne të tjerët që jemi në krye të FFK-së”, është shprehur Salihu.

Sekretari i Përgjithshëm i FFK-së ka potencuar se donatorët nuk duhet t’i keqpërdorin investimet e tyre në futboll për ta shkatërruar futbollin me këso kauza.

“Ata janë futur vonë në futboll në një kohë kur kanë mundësi edhe përfitimi. Dështimet nuk duhet t’i arsyetojnë me akuza ndaj referimit. Nëse kanë prova për shit-blerje të referëve le t’i denoncojnë në institucione relevante. Ata po harrojnë se edhe referët janë njerëz dhe kanë familje dhe fëmijë. Mos t’i keqpërdorin investimet. Ka pasur edhe shumë investitorë para tyre që kanë lënë pasurinë në futboll pa kurrfarë kompensimi dhe në kohë shumë të vështirë”, tha Salihu.

Klubet e pakënaqura insistojnë ta menaxhojnë vet ato IPKO Superligën pa përzierje të FFK-së.

loading…