Dukuritë negative

FFK-ja paralajmëron klubet në rast se kurdisin lojë ose shkaktojnë probleme

Futbolli kosovar gjithnjë përballet me dukuri të ndryshme mjaft negative, të cilave FFK-ja nuk ka arritur deri më tani t’ua ndal hovin.

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) i ka paralajmëruar klubet se nuk do t’i fal në rast se kurdisin ndeshje ose prodhojnë dukuri tjera negative të qëllimshme gjatë sezonit pranveror, i cili do të nis pas pak javësh.

Kështu u ka thënë kryetari i FFK-së, Agim Ademi, përfaqësuesve të klubeve sot në shtëpinë e futbollit.

“E kam thënë edhe më parë dhe po e përsërisë se nuk do ta falë asnjë gabim. Ato të paqëllimtat do t’i sanksionojmë në mënyrë sportive me organet tona, kurse gabimet e qëllimta do t’ia delegojmë Këshillit Kombëtar kundër dukurive negative në sport. Në këtë mënyrë do të ecin përpara ekipet më cilësore dhe kësisoj do t’ia ruaj edhe investimet të gjithë njerëzve që po investojnë në futboll”, ka thënë Ademi.

Kjo deklaratë e kreut të FFK-së ka ardhur në një seminar të organizuar nga shtëpia e futbollit për licencimin e klubeve kosovare për edicionin e radhës të garave të UEFA-s.