Xhiroja e tetë e Superligës së Kosovës i sjell tri ndeshje interesante sot në orën 14:30. Derbi i sotëm ishte përballja mes Feronikelit dhe Lllapit, ku podujevasit shënuan fitore si mysafir. Në anën tjetër, Blend Baftiu ia siguroi fitoren Ballkanit me një gol dhe një asist kundër Ferizajt e Dukagjini e siguroi fitoren e parë të sezonit të ri kundër Trepçës ’89.

Feronikeli 1:2 Llapi

Përballja mes dy klubeve favorite për titullin e kampionit këtë sezon përfundoi me disfatë të vendasit Feronikeli, që pësoi humbje 1:2 nga Llapi.

Golin e parë për mysafirët e shënoi Mentor Zhdrella në minutën e 41-të të ndeshjes, kur me një lëvizje brenda zonës kundërshtare e gjeti veten të vetëm përballë portierit kundërshtar, të cilin e mposhti lehtësisht.

Megjithatë, Feronikeli nuk u dorëzua dhe në minutën e 81-të të ndeshjes e gjeti golin e barazimit. Mevlan Zeka shënoi me kokë, pas një harkimi të mirë të Yll Hoxhës nga një rivënie këndore.

Por, Llapi arriti të kalojë sërish në epërsi, në minutën e 90+2’ të ndeshjes, përmes Mërgim Pefqelit.

Tre pikët e fituara nga kjo ndeshje bënë që Llapi të ngrihet në pozitën e parë në tabelën e Superligës, me 17 pikë të grumbulluara nga tetë ndeshjet e para (pesë fitore, dy barazime dhe një humbje) – dy pikë më shumë sesa Feronikeli.

Kjo humbje e Feronikelit vjen pas tri fitoreve radhazi, mirëpo është e treta herë në këtë sezon të ri të Superligës së Kosovës që një kundërshtar po arrin ta mposhtë skuadrën e Dejan V

Ferizaj 1:2 Ballkani

Ballkani e siguroi një fitore të madhe në Ferizaj si mysafir, duke i marrë tre pikët e kësaj ndeshjeje dhe duke u ngritur në pozitën e parë në tabelën e Ipko Superligës së Kosovës.

Skuadra e Ismet Munishit e dominoi plotësisht pjesën e parë të ndeshjes. Ylli i skuadrës, Blend Baftiu, shkëlqeu me një gol në minutën e 15-të dhe një asist në minutën e 34-të të ndeshjes për Artur Maganin.

Ferizaj u kthye në lojë me golin në fund të pjesës së parë nga gjuajtja e lirë, të cilin e shënoi Edon Sadriu. Vendasit tentuan ta shënojnë golin e barazimit në pjesën e dytë, mirëpo nuk ia arritën qëllimit dhe u detyruan të mjaftohen me një barazim.

Fitorja në Ferizaj bën që Ballkani të ngrihet në pozitën e dytë në tabelën e Ipko Superligës së Kosovës – baras pikë me liderin Llapin -me 17 pikë të fituara nga tetë ndeshjet e para (pesë fitore, dy barazime dhe një humbje), përderisa Ferizaj radhitet në pozitën e dhjetë, me vetëm gjashtë pikë.

Dukagjini 1:0 Trepça ‘89

Dukagjini ishte skuadra e vetme që arriti të sigurojë fitore si vendase sot, kundër Trepçës ’89. Këtë e arriti përmes golit të shënuar në minutën e 40-të nga Husein Demiri.

Kjo është fitorja e parë për Dukagjinin këtë sezon, që paraprakisht i kishte pësuar gjashtë humbje dhe një barazim. Ndërsa, Trepça ’89 e pësoi vetëm humbjen e tretë nga tetë ndeshjet e para (dy fitore dhe dy barazime).

Në kuadër të xhiros së tetë të Ipko Superligës së Kosovës, nesër në orën 14:30 do të zhvillohen edhe tri ndeshjet e tjera të mbetura: Drita – Vushtrria, Flamurtari – Gjilani dhe Prishtina – Drenica.