Familja denoncoi zhdukjen e tij, zbulohet mesazhi që u ka dërguar Ervis Martinaj: Kujdes se do të ketë kontrolle

Detaje të reja janë zbardhur nga kallëzimi që familjarët kanë bërë në Drejtorinë e Policisë së qarkut Lezhë për humbjen e kontakteve me Ervis Martinajn.

Në kallëzimin e bërë nga familjarët e Ervis Martinajt, xhaxhai i tij ka zbuluar edhe një mesazh që atyre u ka ardhur në mënyrë indirekte nga ai.

“Ata pretendojnë se nga informacionet që kanë marrë nga miqtë e Martinajt që nuk i identifikojnë me emër kanë mësuar se ai ka humbur çdo kontakt dhe janë të shqetësuar për fatin e tij. Ka dhe një mesazh që persona që shoqëroheshin me Ervis Martinaj ia kanë treguar të afërmve të tij, ku thotë ‘kini kujdes se do ketë kontrolle’. Jo një komunikim i drejtpërdrejt, por përmes personazheve me të cilët shoqërohej”, raporton Ballkan Web.

Policia po heton nëse ka një inskenim nga ana e Martinajt apo vërtet mund t’i ketë ndodhur diçka.

Burimet policore kanë konfirmuar se kanë ngritur një grup të posaçëm për të kuptuar çfarë ka ndodhur.