Policia shqiptare ka arrestuar 27 persona, ka konfiskuar armë dhe një sasi të substancave narkotike gjatë një aksioni kundër bandave që dyshohet se kontrabandojnë heroinë në Gjermani.
Më shumë se 1,500 oficerë të policisë kanë bastisur disa lokacione në mbarë vendin, shkruan Euronews.
Kjo fushatë erdhi si përpjekje për ta luftuar krimin e organizuar në këmbim të anëtarësimit në Bashkimin Europian.
“Ditë më parë, policia ka bastisur një laborator të heroinës në rajonin malor të Hasit, me ç’rast ka gjetur morfinë dhe përbërës tjerë të drogës që kishin ardhur nga Turqia nëpërmjet Maqedonisë dhe Kosovës”, ka bërë të ditur Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.
Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca, ka thënë se tani blloku pret që “të fillojnë ndjekjet dhe dënimet kundër personave të përfshirë në aktivitete kriminale”.







