EURO U-21: Magjia e Foden s’mjafton, Franca përmbys në fund pas dy penalltive të humbura (VIDEO)

Franca ka përmbysur gjithçka në fund të takimit duke fituar 2-1 ndaj Anglisë. Ishte një ndeshje me emocione të mëdha, dhe në fund Franca ka luftuar për tre pikët ndaj Anglisë me 10 lojtarë.

Franca kishte mundësinë më të mirë të sfidës në minutën e 25’ të takimit, por Moussa Dembele ka gabuar përpara portierit Dean Henderson nga pika e bardhë e penalltisë. Gardiani në pronësi të Manchester United ka kuptuar krahun dhe ka bërë një pritje të bukur. Pas pushimit Anglia kalon në avantazh me golin magjik të Phil Foden. Mesfushori i Manchester City-t ka shënuar një gol që me siguri do të jetë kandidati kryesor për golin e turneut kur dribloi 5-6 kundërshtarë përpara se të godiste me gjakftohtësi dhe me saktësi të madhe.

Situata vështirësohet shumë për ishullorët në minutën e 66’ kur Choudhury del me karton të kuq pasi shkaktoi një tjetër penallti. Megjithatë, edhe penalltia e dytë shpërdorohet, këtë herë nga Aouar i cili ka goditur shtyllën. Duhej pritur minuta e 89’ për të parë golin e barazimit, të merituar për Francezët. Në sekondat e fundit të takimit erdhi edhe goli i fitores për francezët pas autogolot të Wan-Bissaka.

Ndërkohë në ndeshjen tjetër të grupit, Rumania ka mposhtur bindshëm 4-1 Kroacinë në derbin e Ballkanit.