Dy ndeshje dhe dy fitore për Francën në Grupin H të eliminatoreve për Euro 2020, ku bën pjesë edhe Shqipëria. Kampionët e botës kanë mundur 4-0 në shtëpi Islandën, kombëtarja ndaj së cilës francezët kanë luajtur më shumë ndeshje pa pësuar humbje: 10 fitore, 4 barazime.
Samuel Umtiti ka zhbllokuar takimin në minutën e 12-të me një gol me kokë pas një asisti të Mbappe, i cili është bërë lojtari më i ri (20 vjeç e 3 muaj) që arrin numrin e 30 paraqitjeve në historinë e kombëtares franceze. Rekordi i mëparshëm mbahej nga Karim Benzema (22 vjeç e 9 muaj).
Gjithashtu, ylli i PSG-së është bërë lojtari i parë me të paktën 12 gola të shënuar në 30 ndeshjet e para të luajtura me kombëtaren franceze që nga David Trezegue në 2001-shin.
Goli i dytë për skuadrën e Didier Deschamps ka ardhur në minutën e 68-të dhe është realizuar nga Olivier Giroud, i cili ka realizuar me portën e boshatisur pas një krosimi perfekt të Pavard.
Dhjetë minuta më vonë francezët kanë realizuar edhe golin e tretë me Kylian Mbappe, i cili ka mposhtur portierin Halldorsson me një gjuajtje të saktë me të djathtën brenda zonës së rreptësisë në rrëzim e sipër.
“Pokeri” i “Gjelave” është kompeltuar nga goli i realizuar nga Griezmann në minutën e 84-t pas një asisti të mrekullueshëm me thembër nga Mbappe.
Falë kësaj fitoreje, Franca kryeson Grupin H me 6 pikë, po aq sa Turqia, por me një diferencë më të mirë golash.







