Gabriel Escobar

Escobar për largimin e Vulin nga BIA: Qëndrimi ynë është i qartë, ai ishte shumë destabilizues për rajonin

I dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor dhe zëvendës ndihmës sekretari i shtetit, Gabriel Escobar ka komentuar largimin e Aleksandër Vulin dhe ka thënë se Amerika nuk vendos për zgjidhje në emër të Qeverisë së Serbisë.

Kur është fjala për Vulin, Escobar tha se opinioni amerikan për këtë zyrtar dihet.

“Qëndrimi ynë për zotin Vulin është shumë i qartë, ai ka qenë një figurë shumë destabilizuese në rajon për një kohë të gjatë dhe ju e dini se sanksionet tona janë bazuar në këtë,” tha ai në një intervistë për shërbimin maqedonas të Zërit të Amerikës.

Një përgjigje e ngjashme erdhi më herët nga ambasada amerikane në Beograd.

“Pozicioni ynë për Vulin është i njohur. Ai mbetet nën sanksionet amerikane. Ne presim të vazhdojmë të thellojmë partneritetin tonë me Serbinë në rrugën drejt integrimit të saj të plotë në Evropë dhe komunitetin euroatlantik”, thuhet në përgjigjen me shkrim të zëdhënës i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Beograd.

Kujtojmë se Vulin në deklaratën e tij ka bërë të ditur edhe arsyet pse jep dorëheqjen.

“Na kërkohet të njohim Kosovën, të largohemi nga Republika Srpska dhe të pushojmë së qeni shtet dhe komb sovran duke vendosur sanksione ndaj Federatës Ruse. Nëse ata do të pranonin këtë, kërkesa e radhës do të ishte dëbimi i investimeve kineze, teknologjike dhe pa kushte. varësia ekonomike nga perëndimi, si dhe vazhdimi i shpërbërjes politike dhe territoriale të Serbisë dhe pranimi i vlerave perëndimore në të cilat nuk ka vend për familjen dhe kombin tradicional dhe në fund as për drejtësinë sociale”, ka shkruar Vulin.