Në rrjetet sociale po qarkullon një fotografi, në të cilën shihen së bashku grupi i të pakënaqurve me kryetarin e FFK-së, Agim Ademi, në prag të Kuvendit të sotëm.
Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) nuk dëshiron ta komentojë takimin e grupit të pakënaqur me kryetarin Agim Ademi, i cili ka ndodhur në prag të mbajtjes së Kuvendit të Rregullt të Punës, i cili zhvillohet sot prej orës 17:00.
Në rrjetet sociale po qarkullon një fotografi, në të cilën shihen së bashku ish nënkryetari i FFK-së, deputeti Bekim Haxhiu, djali i ish presidentit të ndjerë, Fadil Vokrri, Gramozi, drejtuesi i Llapit, Tahir Batatina, e po ashtu Hysen Sadiku dhe Bajram Zeqiri.

“As që dua ta komentoj atë takim. Për fatin e mirë opinioni dhe mediat e kanë kuptuar gjithë situatën dhe ne tani jemi mjaft të relaksuar”, tha për Gazetën Express sekretari gjeneral i FFK-së, Eroll Salihu.
I pyetur nëse Kuvendi i Rregullt i Punës sot kërkon votëbesim për kryetarin Agim Ademi, Salihu tha: “FFK është OJQ, nuk është Qeveri. Në institucionet e shtetit përdoret votëbesimi, e jo në FFK, UEFA e FIFA”, tha Salihu.
“Nëse 50 për qind, plus një delegat, nga Kuvendi i mbledhin nënshkrimet, atëherë mund të kërkojnë Kuvend të Jashtëzakonshëm për shkarkimin e kryetarit, por jo edhe të Komitetit Ekzekutiv. Nëse i kanë ato nënshkrime Kuvendi pastaj mbahet brenda një muaji. Atëherë duhen dy të tretat e votave, e kështu. Kështu që s’ia vlen të flasim për këtë qeshje”, shpjegoi Salihu.
Gramoz Vokrri i tha Express-it se sot nuk do të jetë në Kuvendin e FFK-së dhe se takimi me Bekim Haxhiun e Tahir Batatinën kishte të bëjë me ndërtimin e shtatores së babait të tij, legjendës Fadil Vokrri.
Haxhiu dhe Batatina nuk i janë përgjigjur thirrjeve telefonike të Gazetës Express, kurse ish drejtori i PTK-së, Agron Mustafa, e ka përjashtuan mundësinë e kandidimit për kryetar të FFK-së, ku ishte anëtar i Komitetit Ekzekutiv gjatë kohës sa “Vala” ishte sponsore e FFK-së.







