Presidenti turk

Erdogan thotë se fryma e Kombeve të Bashkuara ka vdekur në Gaza, sulmon edhe “botën islame”

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan të mërkurën sulmoi Kombet e Bashkuara dhe i bëri thirrje “botës islame” të reagojë pas sulmeve të fundit vdekjeprurëse izraelite në Gaza, raporton Agence France-Presse (AFP).

“OKB-ja nuk mund të mbrojë as stafin e vet. Çfarë prisni për të vepruar? Fryma e Kombeve të Bashkuara ka vdekur në Gaza”, u tha Erdogan ligjvënësve nga partia e tij AKP, sipas AFP.

Deklaratat e Erdoganit erdhën pasi Këshilli i Sigurimit i OKB-së u takua për të diskutuar një sulm vdekjeprurës izraelit në një kamp zhvendosjeje në perëndim të Rafah të martën që vrau 21 njerëz, sipas një zyrtari të mbrojtjes civile në Gazën e drejtuar nga Hamasi.

Erdogan gjithashtu sulmoi vendet me shumicë myslimane për dështimin për të ndërmarrë veprime të përbashkëta për sulmin izraelit, raporton AFP.

“Unë kam disa fjalë për t’i thënë botës islame: çfarë prisni për të marrë një vendim të përbashkët?”, tha  Erdoğan, i cili drejton një vend me shumicë myslimane prej 85 milionë banorësh.

“Izraeli nuk është vetëm një kërcënim për Gazën, por për të gjithë njerëzimin”, tha ai.

“Asnjë shtet nuk është i sigurt për sa kohë që Izraeli nuk ndjek ligjin ndërkombëtar dhe nuk ndihet i detyruar nga ligji ndërkombëtar”, shtoi Erdogan, duke përsëritur një akuzë se Izraeli po kryen “gjenocid” në Gaza.