Enis Bardhi

Enis Bardhi thotë se ka pasur momente kur ishte më i mirë se Lionel Messi

Mesfushori shqiptar i Trabzonsporit, Enis Bardhi, ka dhënë një intervistë të gjatë për mediumin “Sniper” dhe ka treguar për aftësitë e tij.

Bardhi ka thënë të premten se është i lumtur te Trabzonspori, që e ka vlerësuar klub shumë të madh.

“Është me të vërtetë klub i madh. Viti i kaluar ishte i vështirë, por jemi me më shumë shpresë në këtë vit. Kemi plane dhe synojmë të jemi të suksesshëm në fund të edicionit”, ka thënë Bardhi fillimisht, para se të bënte krahasim me një prej futbollistëve më të mirë në histori të futbollit, Lionel Messi.

Messi është përmendur si një prej lojtarëve më të suksesshëm në gjuajtjet e lira.

Ndërkohë, Bardhi thotë se ka qenë më i mirë në këtë statistikë.

“Ka pasur momente kur unë kam mundur ta kaloj suksesin e Messit. Ka pasur edhe momente kur kam qenë më i mirë nëse është shikuar përqindja e saktësisë. Jam shumë krenar që dëgjoj krahasime të tilla. Është kënaqësi. Po e kaloj periudhën më të mirë tani”, ka thënë Bardhi.

Bardhi ka thënë se e ka shikuar Manchester Unitedin dhe Cristiano Ronaldon me admirim kur ishte fëmijë.

“E dua futbollin shumë. Messi ka vend të veçantë tek unë”, ka thënë ndër të tjera Bardhi.