Eliminimi nga “Euro 2020” mbyll një sezon pa shkëlqim për Ronaldon

Cristiano Ronaldo po ecte ngadalë për të dalë nga fusha kur Romelu Lulaku u afrua për ta përqafuar. Të dy u përqafuan për disa çaste, me Lukakun që i fliste yllit portugez në vesh. Ronaldo me mirësjellje e falënderoi atë, por shpejt u fut në tunel për të shkuar në zhveshtore. Ai nuk ishte me humor për të biseduar. Ndërsa Lukaku kaloi në çerekfinale të Kampionatit Evropian me Belgjikën, Ronaldo po shkonte drejt shtëpisë së tij pas një fundi zhgënjyes të turneut – dhe sezonit të tij.

Nuk kishte titull të mbrojtur në Evropian. Nuk kishte as rekord botëror të shënimit të golave. Dhe, ndoshta nuk do të ketë as çmim për lojtar të vitit. 36-vjeçari Ronaldo pati një sezon të dobët në humbjen 1:0 të Portugalisë ndaj Belgjikës në 1/8 e finales të “Euro 2020”, të dielën mbrëma. Edhe pse ai shënoi më shumë se 40 gola me klubin dhe vendin e tij, numrat e Ronaldos ishin shumë larg për standardet e tij. Ai dështoi të fitojë ligën italiane me Juventusin, ku e ardhmja e tij mbetet e pasigurt me kontratën që përfundon vitin e ardhshëm. Titujt e tij të vetëm në vitin 2021 ishin Kupa dhe Superkupa e Italisë. Ronaldo pati një start fantastik në “Euro 2020”, duke shënuar pesë gola në tri ndeshjet e para për të barazuar rekordin me ish-sulmuesin e Iranit, Ali Daei, si shënuesi më i mirë i të gjitha kohërave me 109 gola. Nëse ai vazhdonte të shënonte dhe nëse Portugalia qëndronte në rrugën e duhur për një tjetër titull, ai mund të ishte rikthyer në bisedë për lojtarin e vitit. Por kjo nuk ndodhi. Ronaldo e hodhi shiritin e kapitenit të tij në tokë pas vërshëllimës së fundit kundër Belgjikës dhe ishte një nga të parët që u largua nga fusha. Portugalia kishte disa raste gjatë gjithë ndeshjes në stadiumin “La Cartuja” në Sevilla, por vetë Ronaldo nuk ishte shumë kërcënues. Ai kishte disa raste nga goditjet e lira në secilën pjesë dhe një gjuajtje nga brenda zonës në fund të ndeshjes.

“Ne nuk morëm rezultatin që donim dhe u larguam nga turneu më herët sesa dëshironim. Por ne jemi krenarë për rrugën tonë, kemi dhënë gjithçka për të konfirmuar veten si kampionë të Evropës dhe kemi treguar se ende mund t’i dhurojmë shumë gëzime Portugalisë. Tifozët tanë kanë qenë të palodhshëm, duke na kanë mbështetur nga fillimi në fund. Nuk ishte e mundur të arrinim atje ku donim të gjithë, por këtu janë falënderimet tona të sinqerta dhe të thella. Ne do të kthehemi më të fortë”, shkroi Ronaldo në Instagram.

Ronaldo u mbështet nga një skuadër e talentuar e Portugalisë që përfshinte Bernardo Silvan, Bruno Fernandesin dhe Diogo Jotan, ndër të tjerët. Portugalia humbi në të njëjtën fazë edhe në Botërorin e vitit 2018, dy vjet pasi fitoi titullin e saj të parë të madh në “Euro 2016”. Triumfi tjetër i ekipit ishte në vitin 2019, kur e fitoi Ligën e Kombeve.

“Është një zhgënjim i madh për ne, sepse ne besonim se mund të fitonim, siç bëmë në vitin 2016”, tha trajneri i Portugalisë, Fernando Santos. “Por ka gjëra për të pritur me padurim. Në vitin 2018 ne u eliminuam, por më pas në vitin 2019 fituam Ligën e Kombeve. Tani do të përpiqemi të fitojmë Kupën e Botës në vitin 2022”.

Ronaldo do të jetë 37 vjeç deri atëherë dhe ka shumë të ngjarë që tashmë të ketë thyer rekordin e golave ndërkombëtarë. Tani për tani ai ende mund të ngushëllohet nga fakti se ka ende gjasa për të përfunduar si golashënuesi më i mirë në “Euro 2020”. Ai mbetet shënuesi kryesor i turneut me pesë gola të realizuar, një më shumë se Patrick Schicku i Çekisë, i cili ka kaluar në çerekfinale.