Gjetjet e reja të rrjetit ndërkombëtar të gazetarëve OCCRP dhe portalit serb KRIK zbulojnë sfondin e financimit të arsimit të fëmijëve të Sinisha Malit, ish-kryetar i Beogradit dhe ministër aktual i Financave të Serbisë.

Edhe pse Mali pretendonte se shpenzimet ishin paguar nga “miq nga jashtë”, gazetarët zbuluan se paratë vinin nga të paktën tre kompani offshore – njërën prej të cilave ai e zotëronte, transmeton Ballkani.info.

Një shkollë luksoze shumë mbi të ardhurat

Fëmijët e Sinisha Malit ndoqën shkollën prestigjioze Ndërkombëtare në Beograd, ku shkollimi vjetor është rreth 60,000 dollarë – shumë herë më shumë se paga mujore e atëhershme zyrtare e Malit prej rreth 1,000 dollarësh, thuhet në hulumtim.

Në procedurat gjyqësore në vitin 2016, Mali deklaroi se shkollimin e paguanin miqtë e tij “nga jashtë, të cilët nuk kanë asnjë lidhje me Serbinë”. Megjithatë, një raport i brendshëm i Agjencisë Serbe Kundër Korrupsionit, të cilin e siguruan gazetarët, tregon një pamje tjetër: paratë erdhën nga llogaritë e tre kompanive offshore – njëra prej të cilave drejtohet nga vetë Mali.

Kompania e Ishujve të Virgjër

Pjesa më e madhe e parave – rreth 150,000 dollarë midis viteve 2010 dhe 2015 – u pagua nga Alessio Investment Ltd, një kompani e regjistruar në Ishujt e Virgjër Britanikë. Dokumentet e vitit 2015 tregojnë se Mali ishte drejtor dhe pronar i asaj kompanie. Më vonë ai u përpoq të fshihte pronësinë e tij dhe kompania ndaloi pagesën e shkollimit pasi u bë publike lidhja me të.

Një dritë shtesë mbi punën e kompanisë hodhi një deklaratë e vëllait të Malit, i cili dëshmoi në vitin 2012 se Alessio Investment është pronar i një kompanie serbe që “ekskluzivisht i përket” Sinisha Malis. Në të kaluarën, e njëjta kompani zotëronte gjithashtu tokë që, siç vendosi gjykata, ishte përfituar në mënyrë të paligjshme, shkruan Ballkani.info.

Kompani të reja, praktika të njëjta

Pasi Alessio Investment ndaloi pagesat, dy firma të reja offshore morën përsipër pagesën:

Evon Invest & Trade Corp., gjithashtu nga Ishujt e Virgjër, pagoi 60,000 dollarë shkollim për vitin shkollor 2016/17. Pronari i saj, biznesmeni serb Branko Jovanoviq, deklaroi se kompania e tij përdorej si ndërmjetës dhe se paratë ishin paguar pasi paratë i ishin dorëzuar agjentit të tij financiar në Qipro. Ai pretendon se nuk e ka ditur se me paratë janë paguar shkollimi i fëmijëve të kryetarit të atëhershëm të Beogradit.

Avant Trade Technical Limited, një kompani nga Qiproja, pagoi shkollimin një vit më parë. Pronësia e kompanisë fshihet përmes pronarëve nominalë dhe nuk ka informacion të disponueshëm publikisht për përdoruesin përfundimtar. Kjo kompani më parë ka marrë pagesa shumë milionëshe nga Sllovenia dhe Rusia, të lidhura me grupin Comita, i cili operon edhe në Serbi.

Comita hyri në Serbi me ndihmën e avokatit Igor Isailoviq, një mik i Malit për një kohë të gjatë. Ajo gjithashtu bëri biznes me kompanitë e lidhura me familjen Mali, duke përfshirë KBV Datacom – kompani kjo që e drejtonte vëllai i Malit, dhe Millennium Team, një kompani ndërtimi që ishte e angazhuar në projektin “Beograde on the Water” (Beogradi në Ujë), ndërsa Mali ishte në krye të projektit.

“Miqtë” pa emra dhe shërbim kthimi

Është interesante se Sinisha Mali nuk i ka përmendur kurrë emrat e “miqve” të tij të dyshuar, të cilët paguanin dhjetëra mijëra dollarë në vit për arsimimin e fëmijëve të tij. Analisti politik Dushan Spasojeviq thekson se është veçanërisht shqetësues fakti se burimet e parave janë fshehur dhe se në raportet e Agjencisë Kundër Korrupsionit nuk ka asnjë gjurmë zyrtare të kësaj pasurie.

“Natyrisht, publiku ka të drejtë të dijë se nga vijnë paratë, sepse sigurisht që nuk janë pjesë e të ardhurave të raportuara të dikujt që ka mbajtur postet më të larta shtetërore për vite me radhë”, thotë Spasojeviq.

Edhe më herët dyshime për pronën

Kjo nuk është hera e parë që Mali vihet nën vëzhgim për pasuri të dyshimta. Edhe më herët, OCCRP dhe KRIK zbuluan se ai zotëronte më shumë se 20 apartamente në Bullgari, se kishte depozituar qindra mijëra dollarë në llogaritë e familjes së tij dhe se pushimet e tij luksoze e kalonin shumëfish pagën e tij zyrtare.

Ndonëse në Serbi janë nisur dy hetime për Malin, në njërin rast i është shmangur aktakuzës duke paguar një donacion, ndërsa në tjetrin prokuroria e ka pushuar rastin. Sot, si ministër i Financave, Mali mbikëqyr edhe Administratën Kundër Pastrimit të Parave – një nga institucionet që dikur hetonte çështjet e tij. /Ballkani.info/