Ekipi kosovar i autosporteve, prej dje kanë mbetur të bllokuar në aeroportin e Valencias, ku kishin shkuar për të marrë pjesë në garën “Fia Motorsport Games”.

Shkak për këtë janë bërë përmbytjet që kanë ndodhur në qytetin e Valencias nga të reshurat e shiut.

Përpos këtyre 29 zyrtarëve, atje kanë mbetur edhe disa të afërm të reprezentuesve kosovarë që kishin shkuar për ta përcjellur ekipin kosovar në gara.

“Kemi ardhur dje në aeroport rreth orës 16:30, pasi që fluturimin e kemi pasur nga ora 19:50. Por, fluturimi nuk është realizuar. Na thanë që shtyhet për në orën 12:00, por as atëherë nuk pati fluturim. Ndërsa, sot u mbyll komplet aeroporti, ku ne jemi prej dje nga ora 16:30. Fluturimi ishte i paraparë të realizohej nga Valencia në Tiranë”, i tha Ballkanit.info një zyrtar i Federatës së Autosporteve të Kosovës nga Valencia bashkë me ekipin kosovar

“Tash na duhet ta lëshojmë aeroportin dhe të gjejmë diku tjetër strehim, derisa të bëjmë zgjidhje alternative për t’u kthyer në Kosovë, nga Barcelona apo Madridi, apo të shohim prej nga”, tha tutje ai.

Pas përmbytjeve të shpejta në Spanjën juglindore, raportohet për më shumë se 50 të vdekur, ndërsa situata atje është alarmante dhe paniku është tejet i theksuar.