Mbledhja e Qeverisë

E çuditshme: Qeveria nuk i përfshinë vërejtjet e Kushtetueses në Projektligjin e ri për Zyrtarët Publikë

Në një mbledhje elektronike, Qeveri e Kosovës sot e ka miratuar Projektligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Zyrtarët Publikë. Çuditërisht, në këtë projektligj ekzekutivi nuk i ka përfshirë fare vërejtjet e Aktgjykimit të Kushtetueses dhe rekomandimet e BE-së.

Injorimi i këtyre sugjerimeve po konsiderohet si skandaloze nga opozita dhe përfaqësuesit e sindikatave të shërbimit civil të Kosovës.

Zyrtarët e opozitës dhe të sindikatave kanë paralajmërua se projektligji sërish mund të dërgohet për shqyerin në Gjykatën Kushtetuese.

Shefi i Grupit Parlament të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se ky ligj është i rrezikshëm për demokracinë dhe sulm mbi administratën shtetërore.

Sot, Qeveria e Kosovës e ka në miratim Ligjin për Zyrtarët Publik në mbledhjen elektronike. Ky Ligj u miratua pa asnjë ditë të konsultimit publik, pa përfshirjen e asnjë rekomandimi të vetë zyrtarëve publikë dhe pa trajtimin e sugjerimeve të BE-së. Sot, me këtë ligj po kapet politikisht administrata e shtetit”, ka shkruar Tahiri në profilin e tij në “Facebook”.

I shqetësuar me këtë veprim të qeverisë është shprehur edhe Ali Sefaj, përfaqësues i Sindikatës së Shërbyesve Civilë.

Në një prononcim për gazetën Nacionale, Sefaj ka thënë se projektligji në fjalë nuk janë përfshirë vërejtjet Kushtetueses dhe të BE-së.

Fatkeqësisht edhe në Projekt Ligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 08/L 197 për Zyrtaret Publik nuk përfshinë zbatimin e urdhërit të dhënë në Aktgjykimin në rastet KO 216/22 dhe KO 220/22 të Gjykatës Kushtëtuese të Kosovës dhe as rekomandimet e BE-së dhe SiGM-as”, ka deklaruar Sefaj.

Vërejtjet ndaj projektligjit

Projektligji për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Zyrtarët Publikë është cilësuar si dokument që shkel të drejtat e njeriut dhe parimet e shërbimit civil.

Shefi i Grupit Parlament të AAK-së, Besnik Tahiri, ka numëruar problemet e këtij projektligji.

1. Mungesa e konsultimit me palët e afektuara, që janë zyrtarët publikë. Kjo e bënë projektligjin pa legjitimitetin e nevojshëm; 2. ⁠Projektligji shkon kundër aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, duke paraparë që nëpunësit që janë emëruar në pozitat e nivelit të ulet dhe të mesëm drejtues, të privohen nga e drejta ligjore e fituar me ligjin që ka qenë në fuqi kur janë emëruar. Projektligji i ri, duke i dhënë vetes efekt retroaktiv, e cenon të drejtën ligjore të fituar të kësaj kategorie. Krejt kjo në kundërshtim flagrant me parimet e SIGMA-së dhe BE-së, si një detyrim që Kosova ka marrë me MSA-në, që RAP ta bëjë në koordinim me BE-në, të cilën gjë nuk po e bënë”, ka vlerësuar Tahiri.

Sipas tij, projektligji mundëson kapjen e administratës nga pushteti.

“3. ⁠Ky projektligj shkel të drejtat e njeriut, pasi që bazohet në supozimin e paargumentuar se nëpunësit civilë nuk vlejnë dhe se ata duhet të largohen masivisht nga puna, për të sjellë në ato pozita persona të dëgjueshëm për politikën në pushtet. Thjesht, është një hap në kapjen e administratës shtetërore, krahas edhe hapave që kjo qeveri ka ndërmarrë në kapjen e shtetit; 4. Largim nga fushëveprimi i Ligjit për Zyrtarët Publik në mënyrë të qëllimshme dhe pa bazë (kjo vlen edhe për nëpunësit civilë me status të veçantë); 5. Zgjatja e afatit deri në dy vjet për ushtrues detyre, tendencë e qartë për ligjësimin e këtij fenomeni të rrezikshëm”, ka shkruar Tahiri.

Më tej, ai ka përmendur edhe problematika tjera të projektligjit në fjalë.

Heqja e pragut minimal, që së paku dy kandidatë duhet t`i plotësojnë kushtet për nivelin e lartë drejtues është e gabuar dhe me pasoja në zbatimin në praktikë; 7. Vendosja e marrëveshjes për pranim të nëpunësve civilë, të cilët janë tepricë sipas paragrafit 3 të nenit 67 është shumë e rrezikshme dhe me qellim mund të vijë në situatat që institucionet mos t`i pranojnë nëpunësit dhe të njëjtit të largohen nga shërbimi civil (shih paragrafin 5 të nenit 67); 8. Pezullim i paarsyeshëm dhe në kundërshtim me parimin e prezumimit të pafajësisë”, ka theksuar Tahiri, duke paralajmëruar se nësë ky projektligj miratohet në këtë mënyrë, opozita do të detyrohet praprë të dërgon në Gjykatë Kushtetuese për shqyrtim.

Kurse, përfaqësues i Sindikatës së Shërbyesve Civilë, Ali Sefaj, ka thënë se ky projektligj rrezikon sigurinë juridike të zyrtarëve.

Ky projektligjin edhe me shumë e rrezikon sigurinë juridike të zyrtarëve publik, duke iu dhënë kompetenca të jashtëzakonshme zyrtarëve me të lartë administrativ, për pezullimin, përfundim të mardhanjës se punës etj. Shtoja kësaj faktin se pozitave drejtuese ( ushtruesve të detyrës ) nga 6 muaj iu mundësohet ushtrimi i detyrës deri në dy vite”, ka thënë ai për gazetën Nacionale.

Edhe Sefaj ka paralajmëruar që projektligji mund të shkojë përsëri në Kushtetuese.

Edhe sot kur po flasim, qeveria e Kosovës, Ministri dhe dhjetëra agjenci funksionojnë me ushtrues detyre qe 3-4 vite. Për ne si sindikatë kjo është tendencë për frikësim dhe kapje të pozitave drejtuese të administratës shtetërore, e cila mund t`i rrënoj arritjet dhe ta largoj stafin profesional te administratës shtetërore. Në si Sindikata do ti ndjekim rrugët ligjore, që Ligjin ta dërgojmë prapë në Gjykatën Kushtetuese, me qellim të ruajtjen dhe avancimit të administratës”, është shprehur Sefaj.

Në gusht të vitit të kaluar, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka rrezuar disa nene të Ligjit për Zyrtarët Publikë, të cilin e kishte dërguar për shqyrtim opozita.