Dyshime të fuqishme se gruri nga Serbia po futet në Kosovë i kamufluar si i ardhur nga Rusia

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për taksë 100% ndaj produkteve të importuara nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, ka ndikuar në ngritjen e numrit të personave që kanë tentuar të gjejnë mënyra të ndryshme për t’i futur këto mallra në Kosovë.

Në terminalin ‘Prishtina 3’, në javën e dytë të muajit shkurt ka arritur një ngarkesë me grurë, ku bazuar në fakturën e ngarkesës, origjina e grurit ka qenë Rusia.

Burime të Ballkani.info, të cilët e kanë dërguar këtë informacion, kanë thënë se ngarkesa është me peshë rreth një milion kilogram grurë.

Dyshimet për mashtrime janë të larta, pasi që transporti i mallrave apo lëndëve ushqimore nga Rusia për në Kosovë kushton shumë, andaj çmimi nuk do t’i përshtatej konkurrencës së tregut. Kështu që ka dyshime të fuqishme se gruri rus në fakt është grurë serb, por po i ndryshohet vendi i orgjinës.

Ballkani.info ka kontaktuar me zëdhënësin e Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, i cili ka mohuar mundësinë për fshehje të vendit të origjinës së mallrave.

I pyetur se a mund të jetë kjo ngarkesë një mashtrim nga importuesit serb me qëllim që të shmangin taksën, Stavileci ka thënë se nuk beson që një gjë e tillë do të ndodhte pasi që Dogana i vëzhgon në detaje ndryshimet që ndodhin në përqindjet e importeve, andaj një ngritje e përqindjes së importit nga Rusia do të binte në sy.

Ballkani.info ka kërkuar nga Dogana një raport të mallrave të importuara nga Rusia në Kosovë gjatë dy muajve të parë të vitit 2019, raport ky që nuk u dorëzua deri më tani.

Nga redaksia kanë provuar të kontaktojnë me zëdhënësin e doganës për një javë rresht për të siguruar këtë raport, por i njëjti nuk i është përgjigjur telefonatave dhe SMS-ve.

Në anën tjetër, zëvendëskryeministri serb, Rasim Ljajiq gjatë një interviste në Radiotelevizionin e Serbisë para dy ditëve ka deklaruar se mallrat serbe, përkundër taksës po arrijnë të hyjnë në Kosovë përmes rrugëve alternative.

“Një pjesë e mallrave shkon në Kroaci, pastaj nga atje mbërrin të shitet në Kosovë. Po ashtu, për shembull ka mallra serbe që përfundojnë në Maqedoni, ku ripaketohen dhe prej atje arrijnë të depërtojnë në Kosovë”, ka thënë ai, transmeton Ballkani.info.

Vitin e kaluar, gruri i importuar në Shqipëri me origjinë nga Rusia dhe Serbia ishte bërë skandal në media për cilësinë e dobët që kishte.

Burime të redaksisë, kanë thënë se mashtrime të njëjta po ndodhin edhe me importimin e qepëve.

Sipas këtyre burimeve, Serbia po dërgon ngarkesa me qepë në Shqipëri dhe pastaj të njëjtat po importohen në Kosovë si prodhime të Shqipërisë duke iu shmangur taksës në doganë.

Çmimi i qepëve në treg, para vënies së taksës kishte kushtuar deri në 0.50 centë për kilogram, kurse pas taksës ishte ngritur në 1.19 euro.

Sipas statistikave të paraqitura deri më tani, importi nga Serbia ka rënë dukshëm pas vënies së taksës, ndërsa kishte ndihmuar importin nga Shqipëria. /Ballkani.info/