falsifikim i parasë

Dy vëllezërit e akuzuar për falsifikim të parasë dhe korrupsion lirohen nga akuza

Gjykata Themelore në Gjakovë ka liruar nga akuza vëllezërit Bejtullah e Hazir Deliun, të cilët akuzoheshin për korrupsion dhe falsifikim të parasë.

I akuzuari Bejtullah Deliu akuzohej se në cilësinë e menaxherit të Postës në Rahovec akuzohet se ka kryer veprat “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Falsifikimi i parasë”, ndërsa vëllai i tij Hazer Deliu, pronar i biznesit “Rita Tobaco”, akuzohej për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i parasë”.

Aktgjykimi ndaj tyre është shpallur të mërkurën nga gjykatësi Sulltan Dobraj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai tha se të akuzuarit e lartcekur lirohen nga akuza në mungesë të provave.

Sipas aktgjykimit, shpenzimet e procedurës penale bien në barrë të mjeteve buxhetore të gjykatës.

Ndërsa, e dëmtuara Posta e Kosovës për realizimin e kërkesës pasurore-juridike udhëzohen në kontest civil.

Kundër këtij aktgjykimit, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh në Gjykatën e Apelit.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjakovë, më 7 gusht 2023, kishte ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve Bejtullah dhe Hazer Deliu.

Sipas dispozitivit të parë të aktakuzës, i pandehuri Hazer Deliu, pronar i biznesit “Rita Tobaco”, akuzohet se duke e ditur se paratë e biznesit të tij janë të falsifikuara, ia ka dërguar Bejtullahut, vëllait të tij, njëherit menaxher i Postës së Kosovës në Rahovec për këmbim në letër monedhat metalike nga 2 euro, 1 euro dhe 0.50 euro, shumën e përgjithshme prej 7 mijë euro, të cilat janë vënë në qarkullim nga Posta për qytetarët që marrin asistencë sociale.

Tutje, në aktakuzë thuhet se, pas njoftimit të Inspektoratit të Postës së Kosovës se në ZP 01 Rahovec janë dhënë monedhat e falsifikuara, Policia e Kosovës ka gjetur dhe konfiskuar monedhat metalike të falsifikuara.

Me këto veprime, i pandehuri Hazer Deliu akuzohet se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i parasë” nga neni 296, par. 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndërkaq, në dispozitivin e dytë të aktakuzës, thuhet se i pandehuri Bejtullah Deliu, më 28 shkurt 2023, në cilësinë e menaxherit të Postës së Kosovës – Dega në Rahovec, Zyra Postare 01, ka tejkaluar kompetencat e tij, me qëllim përfitimit të dobisë pasurore për vete dhe vëllan e tij- të pandehurin Hazer Deliu, ka pranuar monedhat prej 2 euro, 1 euro dhe 0.50 euro, në shumë të përgjithshme prej 7 mijë euro, janë vënë në sportelet e Postës për t’ua dhënë qytetarëve për asistencë sociale, edhe pse ishte njoftuar paraprakisht nga Zyra regjionale e Postës në Prizren, që mos të pranohen monedhat metalike nga klientët pasi që banka nuk po ua pranon.

Me këto veprime, i pandehuri Bejtullah Deliu akuzohet se ka kryer veprën penale “Falsifikimi I parasë” nga neni 296, par. 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dhe “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, par.2 lidhur me par. 1 te Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi