Dy trajnerët që mund ta zëvendësojnë Munishin te Prishtina

Prishtina ka filluar punën për gjetjen e një trajneri të ri, pasi e shkarkoi Ismet Munishin të hënën.

Gazeta Nacionale merr vesh se Ardian Nuhiu, ish-trajneri shumëvjeçar i Dritës, dhe Ramiz Krasniqi, janë dy prej mundësive që po i shqyrton klubi për detyrën e trajnerit.

Burime brenda klubit bardhekaltër kanë thënë se ende nuk kanë nisur bisedimet me ndonjë trajner, por i shohin Nuhiun dhe Krasniqin si dy mundësitë kryesore.

Nuhiu, 44 vjeç, është pa klub qëkur u largua nga Drita në nëntor të vitit të kaluar.

Ai ishte ndër trajnerët me qëndrimin më të gjatë në një klub të Superligës, pasi i kaloi katër vite në Gjilan, duke e fituar titullin në Superligë një herë.

Ndër sukseset e tij më të mëdha ishin edhe mënyra se si e udhëhoqi Dritën në kualifikime për garat Evropiane.

Nën udhëheqjen e tij, Drita arriti deri në rrethin e tretë kualifikues në Ligën e Evropës – garën dytësore evropiane për klube.

Ramiz Krasniqi deri vonë ka qenë trajner i Kombëtares U19 të Kosovës.

Kushdo që ta marrë Prishtinën në dorë, ka shumë punë në këtë pjesë të mbetur të sezonit në Superligë.

Klubi e shkarkoi trajnerin Ismet Munishi të hënën, një ditë pas disfatës së klubit kundër Malishevës në Superligë.

Disfata kundër Malishevës që lufton për mbijetesë ishte e katërta nga shtatë ndeshje në vitin 2023 për Munishin në stolin e Prishtinës, të cilës ai iu bashkua në qershorin e kaluar.

“Bordi i FC Prishtinës ka vendosur që ta ndërpresë bashkëpunimin me trajnerin Ismet Munishi”, thuhej në një njoftim të Prishtinës.

Gjërat për ish-trajnerin e Ballkanit dhe Gjilanit nuk kanë shkuar shumë mirë në kryeqytet, pasi me të në krye, Prishtina është më afër rënies nga liga se një vendi që çon në garat evropiane.

Që prej rifillimit të sezonit 2022/23 në Superligë, Prishtina e ka shënuar vetëm një fitore në shtatë ndeshje, duke i humbur katra dhe duke barazuar në dy të tjera.

Munishi e mori në dorë një Prishtinë me shumë ndryshime në qershor të vitit të kaluar, pasi shumica e lojtarëve kyçë ishin larguar dhe atij iu desh ta dertonte një ekip pothuajse nga fillimi.

Klubi kryeqytetas njoftoi se skuadrën do ta udhëheqë ndihmëstrajneri Debatik Curri përkohësisht.

Nuk dihet nëse mund të arrihet ndonjë marrëveshje për trajnerin e ri tani apo pas përfundimit të këtij sezoni.

Prishtina është në vendin e katërt me 32 pikë, shtatë pikë larg Evropës, dhe vetëm pesë pikë larg zonës së rënies nga Superliga.