“Duhet t’i hedhim sytë nga ndërtimi, edhe këngëtarët të mendojnë në këtë drejtim”, Ministrja Denaj flet për krizën ekonomike

E ftuar në emisionin e mëngjesit në ABC News, Ministrja e Ekonomisë e ka paraqitur situatën ekonomike të vështirë. Anila Denaj deklaroi se punëtorët e sektorit të turizmit apo të të tjera fushave duhet të tregojnë fleksibilitet më shumë se kurrë.

Sipas Ministres, sektori i ndërtimit ka nevojë për fuqi punëtore. Me projektin e ndërtimeve të shtëpive të prishura nga tërmeti, Denaj thekson se mund të përfitojnë të gjithë ata që ndryshojnë punën, për t’iu dedikuar ndërtimit.

“Kjo situatë mund të sjellë rimodelimin e fuqisë punëtore. Nëse ai punonjës punonte në hoteleri-turizëm, tani mund të punojë në ndërtim. Sepse fondet e rindërtimit janë të paprekura. Fleksibiliteti për të ndryshuar punën duhet të jetë i lartë”, është shprehur Denaj.

Duke qenë se një problem mbi papunësinë e kanë ngritur edhe këngëtarët, Enkel Demi ka ndërhyrë duke pyetur Ministren nëse fleksibiliteti nga profesioni aktual, në ndërtim, vlen edhe për këta të fundit.

“Edhe këngëtarët që përmendët ju duhet të mendojnë në këtë drejtim. Qarkullimi në këto sektorë do të jetë më i ulët dhe do të ketë një rialokim”, është përgjigjur Denaj.