Drita fiton bindshëm ndaj Llapit

Kampionia në fuqi Drita ka shënuar fitore me rezultat bindës të dielën në stadiumin “Zahir Pajazit” në Podujevë, ndaj Llapit 4:2.

Me këtë fitore skuadra nga Gjilani mbetet lider në Superligën e Kosovës në futboll. Takimi nisi më mirë për nikoqirët që gjetën golin qysh në minutën e dytë. Sulmuesi Ahmed Jonuzi përfitoi fillimisht nga gabimi i Ard Limanit dhe më pas nga pasiguria e portierit Faton Maloku, për ta dërguar topin në rrjet për 1:0. Por Drita barazon menjëherë shifrat, qysh në minutën e tretë.

Ard Limani shërbeu bukur Xhevdet Shabanin i cili arriti ta mposhte portierin vendas për 1:1. Madje mysafirët arritën të kalonin në epërsi në minutën e 29-të me golin e shënuar nga Festim Alidema për 2:1. Por Llapi arriti ta zë në befasi mbrojtjen e Dritës. Skuadra e udhëhequr nga trajneri Tahir Batatina, në minutën e 32-të pas një kundërsulmi të shpejt me Ahmed Jonuzin që shërbeu bukur në zonë Edon Sadriun që nga afërsia shënoi për 2:2.

Edhe pjesa e dytë ishte e ngjashme me raste të shumta shënimi. Në minutën e 70-të kaluan sërish në epërsi. Xhevdet Shabani realizoi një gol të bukur për 3:2 pas asistimit të Astrit Fazliut.

Vetëm gjashtë minuta më vonë udhëtuesit shënuan edhe golin e katërt. Esosa Priestley arriti të përfitoi nga një gabim i mbrojtjes vendase dhe portierit për ta dërguar topin në rrjet për 4:2.