Sulmuesi kosovar i shënoi golat e fitores ndaj Liverpoolit dhe Shakhtar Donetskut në Champions, duke ia siguruar gjashtë pikë shumë të vlefshme në fazën e ligës, në Ligën e Kampionëve. Përveç pikëve, Fenerbahçe nga golat e Muriqit në këto fitore, është pasuruar me 4.2 milionë euro.

Një fitore në Ligën e Kampionëve shpërblehet nga UEFA me 2.1 milionë euro. Për barazim në fazën e ligës, klubet përfitojnë nga 700 mijë euro.

Muriqi, i cili e realizoi golin e fitores 3:2 në shtëpi ndaj Liverpoolit, luajti rol kyç në fitoren e Fenerbahçes në “Stamford Bridge” të Londrës ndaj Shakhtar Donetskut ukrainas.

Feneri me golin e Muriqit fitoi 1:0 në stadiumin e Chelseat.

UEFA e zgjodhi Muriqin lojtarin më të mirë të atij ballafaqimi. Ka shkruar se ishte pika referuese e sulmit të Fenerbahçes dhe e ndryshoi rrjedhën e lojës me golin që e shënoi.

Mike Grella, i cili punon si analist në programin sportiv “CBS Sports” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e zgjodhi Muriqin në formacionin e tij më të mirë të Championsit për xhiron e pestë. Përkrah Muriqit ishte edhe Kylian Mbappe.

“Muriqi, ky djalosh është problematik. Ai është ‘bishë’. Është qendërsulmues i duhur. Ai i ka shënuar dy golat vendimtar të fitoreve në dy ndeshjet e fundit për Fenerbahçen. Në njërën prej tyre hyri në lojë nga banka rezervë. Por më pëlqen mënyra e tij në fushë, se si luan, stil i moçëm. Agresiv, ‘një bishë’, e fut kokën aty ku shumë lojtarë nuk e bëjnë. Kështu që kam qenë i impresionuar nga ai”, ka deklaruar Grella në emision ku si analistë punojnë edhe Troy Deeney dhe Nigel Reo-Coker.

Muriqi tani i ka dhjetë gola gjithsej në edicionin aktual në të gjitha garat, në 20 paraqitje. I ka edhe dy asistime.

Ai është sulmuesi i preferuar i trajnerit të ri, Emre Belozoglu, me prezencën e tij fizike, dominimin në lojën në ajër, dhe aftësinë për t’i përfunduar aksionet me gjindshmërinë në kohën dhe vendin e duhur.

Pas pesë ndeshjeve të luajtura në Ligën e Kampionëve, Fenerbahçe tani i ka tetë pikë dhe është në pozitë të mirë për ta siguruar fazën tjetër të garës elitare për klube në Evropë.