Drecun: Në Kosovë nuk do të ketë de-eskalim, Kurti nuk ndryshon sjelljen e tij

Kryetari i të ashtuquajturit komision serb për Kosovë, Millovan Drecun, ka pretenduar se “ka frikë se për shkak të sjelljes së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti nuk do të ketë zgjidhje për de-eskalimin e situatës në veri të Kosovës”, raporton televizioni në shërbim të regjimit serb “TV Pink”.

“Ata po i realizojnë disa nga qëllimet e tyre hap pas hapi dhe qëllimi përfundimtar është që serbët të mos mbijetojnë atje dhe të kryejnë spastrim etnik”, ka pretenduar Drecun.

Ai ka shtuar se Kurti “sigurisht që nuk do ta formojë Asociacionin”.

“Fakti që për momentin e qetësuan situatën nuk do të thotë se nuk do të ketë tension. Ai gjithmonë mund të akuzojë dhe arrestojë ndonjë serb “pa arsye”, të gjitha me qëllim të frikësimit”, ka thënë Drecun, transmeton Paparaci.

Ai gjithashtu ka pretenduar se kur bëhet fjalë për deeskalimin, “Prishtina tashmë po i shmanget mbajtjes së zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës”.

“Nuk janë duke punuar në Asociacionin, po pezullohet ndërtimi i objekteve të shumta, po marrin vendime për urën mbi lumin Ibër e të ngjashme. Aktakuza të rrejshme po ngrihen, po përgatitet terreni për eskalim të mëtejmë”, ka theksuar ish-shërbëtori i kriminelit Millosheviq i ngarkuar për propagandë antishqiptare, aktualisht në shërbim të Vuçiqit.

Ai ka thënë se “është bërë një manovër politike”.

“Ata “gjoja” tërhoqën disa zyrtarë të Policisë dhe më pas Bislimi pyet pse BE-ja nuk i tërhoqi sanksionet. Mendoj se duhet të paraqitet menjëherë një plan, sipas të cilit do të realizohet marrëveshja”, ka thënë Drecun, duke nënkuptuar me këtë se Plani i Ohrit, të cilin e ka pranuar Vuçiqi, nuk vlen për Serbinë.

Sipas tij, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka treguar qartë qëndrimin e Beogradit dhe “nuk do ta ndryshojë atë”, ndërsa, shton ai, “Prishtina mendon se “çështja e Kosovës” është punë e kryer, e çka, “është absurde”, pretendon Drecun në propagandën e tij të pandryshuar nga shekulli i kaluar.

“Asociacionin e shohin në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, e jo sipas marrëveshjes së Brukselit”, ka përfunduar Drecun.