Dortmundi kthehet fuqishëm në Bundesligë, merr tri pikë të mëdha në garën për titull

Ndërprerja e aktiviteteve sportive për rreth 2 muaj duket se nuk ka ndikuar negativisht te skuadra e Borussia Dortmundit, që arriti të marrë fitore bindëse me rezultat 4:0 në derbin kundër Schalkes.

Kthimi i Bundesligës dhe xhiroja e 26-të e këtij sezoni rezultuan me lajme pozitive për djemtë e Lucien Favre, të cilët morën fitore në derbin kundër Schalkes dhe tre pikë të vlefshme për garën për titullin e kampionit.

Në një stadium të zbrazët, ku dëgjoheshin jehonat e thirrjeve të lojtarëve e trajnerëve, Dortmundi u shfaq dominues në rinisjen e kampionatit, veçanërisht pasi që lojtarët e Schalkes nuk arritën t’i shfrytëzojnë rastet që i patën.

Ylli norvegjez Erling Braut Haaland e shënoi golin e parë në kthimin e Bundesligës nga të gjitha ndeshjet, në minutën e 29-të. Me këtë gol ai e vazhdon formën mbresëlënëse që e kishte shfaqur edhe më parë këtë sezon, duke arritur ta shënojë golin e 13-të për gjigantin gjerman në 12 ndeshjet e zhvilluara që nga transferimi në janar nga Salzburgu.

Megjithatë, goli i Haalandit mbeti nën hijen e dy golave të shënuara nga mbrojtësi anësor Raphael Guerrerio – në minutën e 45-të dhe atë të 63-të.

Mes dy golave të Guerreiros, tifozët e Dortmundit e festuan nga shtëpitë e tyre edhe golin e shënuar nga Thorgan Hazard, të asistuar nga Julian Brandt, i cili e asistoi edhe golin e dytë të skuadrës së tij.

Kjo fitore ka vlerë të madhe për Dortmundin në garën për titull, pasi që iu afrua për një pikë Bayern Munichut, i cili megjithatë do ta zhvillojë të dielën ndeshjen e kësaj xhiroje.