DOKUMENT| Vërejtjet e zyrës së Osmanit për Projektligjin e Pagave, shqetësohen për pagën e Blerim Velës

Projektligji i Pagave në sektorin publik nga 15 shtatori ka dalë në debat publik.

Institucionet e Kosovës nëpërmjet komenteve të tyre kanë dhënë shumë kritika e vërejtje për të.

Demokracia.com ka siguruar komentet e të gjitha institucioneve relevante mbi projektligjin  e pagave, të cilat do t’i publikojë në ditët në vijim.

Ky projektligj është shqyrtuar edhe nga Departamenti për Çështje Juridike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në Zyrën e Presidentes.

Presidenca ka ardhur në përfundim se në Projektligjin për Pagat në Sektorin Publik, nuk janë aplikuar në mënyrë të drejtë parimet themelore për caktimin e nivelit të klasës dhe koeficientit për pagën bazë, duke u bazuar në përgjegjësinë në punë, ndërlikueshmërinë e detyrave të punës dhe kualifikimin përkatës.

“Sipas Kushtetutës dhe ligjeve të veçanta ndaj personelit të institucioneve të pavarura kushtetuese aplikohen rregullat e shërbimit civil, për aq sa ato nuk cenojnë pavarësinë e tyre. Kjo nënkupton edhe ligjet që rregullojnë mbikëqyrjen e zbatimit të këtyre ligjeve. Megjithatë, ashtu siç buron nga Kushtetuta dhe ligjet e veçanta, institucionet e pavarura, janë të autorizuara që të nxjerrin rregullore, urdhra dhe akte të tjera juridike, për të rregulluar specifikat në lidhje me marrëdhënien e punës së personelit të tyre, që dallojnë nga normat e përgjithshme të përcaktuara me ligjet tjera, në atë mënyrë që ato të sigurojnë pavarësinë e tyre funksionale dhe organizative. Këto norma të veçanta duhet të respektohen nga të gjitha institucionet. Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës është institucion i veçantë në kuadër të Shërbimit Civil të Kosovës. Zbatimi i parimit “Pagë e njëjtë për punë të njëjtë”, duhet të marrë parasysh edhe pozicionin kushtetues të institucioneve kushtetuese dhe kompetencat e tyre kushtetuese. Në këtë drejtim, duke pasur parasysh gjithnjë që pavarësia e garantuar kushtetuese ka si përbërës pavarësinë organizative, funksionale dhe financiare. Prandaj, specificiteti i statusit të tyre kushtetues nuk është respektuar në tërësi në Projektligjin për Pagat në Sektorin Publik. Në Projektligjin për Pagat në Sektorin Publik, nuk janë aplikuar në mënyrë të drejtë parimet themelore për caktimin e nivelit të klasës dhe koeficientit për pagën bazë, duke u bazuar në përgjegjësinë në punë, ndërlikueshmërinë e detyrave të punës dhe kualifikimin përkatës”, ka komentuar zyra e Osmanit, përcjell Demokracia.com.

Sipas Presidencës, Projektligji për Pagat në Sektorin Publik nuk siguron në mënyrë të duhur ndarjen e pushtetit, siç është përcaktuar në Nenin 4 të Kushtetutës.

Zyra e Osmanit shqetësim të posaçëm e ka edhe koeficientin e shefit të stafit, Blerim Velës, por edhe të Sekretarit të Presidencës.

“Si rrjedhojë dispozitat e këtij ligji duhet të sigurojnë që edhe në çështjet e pagave të ruhet parimi i ndarjes së pushteteve. Kjo duhet të shprehet si në aspektin hierarkik ashtu edhe në aspektin operacional. Në këtë drejtim, në Shtojcën një (1) të Projektligjit për Pagat në Sektorin Publik, renditja ka filluar nga Klasa A1-Koeficienti 18 (Paga e Presidentes), që ka reflektuar me hierarkinë institucionale Shtojcën trembëdhjetë (13) të Projektligjit me Klasën C1 me koeficient 13 (Shefi dhe Zëvendësshefi i Stafit në Presidencë). Kjo formulë nuk është ndjekur Shtojcën dhjetë (10) të Projektligjit ku në vend që të jetë Klasa G1 me koeficient 14 (Paga e Sekretarit në Presidencë-Drejtues i Lartë 1), është vendosur Klasa G3 me koeficient 12.3 (Paga e Sekretarit në Presidencë-Drejtues i Lartë 2). Në Klasën G1 është vendosur një Drejtor i një Agjencie Ekzekutive të Ministrisë (Drejtues i Lartë 1), ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i asaj Ministrie ku raporton Drejtori i Agjencisë Ekzekutive është vendosur në Klasën G5 me koeficient 12.2 (Drejtues i Lartë 2)”, thuhet nga Zyra e Osmanit.

Po ashtu, ata thonë se duhet shikuar aspekti i hierarkisë dhe ai operacional, në përcaktimin e grupeve dhe klasave të pagave.

Demokracia.com gjatë kësaj jave do t’i sjell komentet e të gjitha institucioneve.