DOKUMENT| Qemajl Aliu kundërligjshëm e vendos në komision anëtarin e LVV-së që ka probleme me ligjin

Një vendim i aprovuar nga Kryetari i Shtimes, Qemajl Aliu, po kundërshtohet nga shoqëria civile. Bëhet fjalë për themelimin e Komisionit për Shqyrtimin dhe Vlerësimin e kërkesave për ndarjen e subvencioneve dhe transfereve, proces ku dyshohet se u bënë dallavere.

Demokracia.com ka arritur ta sigurojë dokumentin për themelimin e këtij komisioni, vendim të cilin Qemajl Aliu e ka fshehur duke mos e bërë publik në faqen zyrtare të Komunës së Shtimes.

Në dokumentin e siguruar nga Demokracia.com, shihet se në përbërje të komisionit janë Drita Qerimi-kryetare, Bashkim Ahmeti dhe Lumnie Aliu që të dy anëtarë, Faruk Beqa, anëtar i jashtëm në cilësinë e ekspertit dhe Lirije Reshani – anëtare rezervë.

Vendimi i Aliut i marrë më 22 prill 2022 e cakton Faruk Beqën si anëtar të jashtëm, i cili njëherësh është kryetar i Pikës 2 të Lëvizjes Vetëvendosje në Shtime.

Veç kësaj, Demokracia.com ka parë se ky i fundit ishte edhe kandidat për Kuvend të Shtimes, por kandidatura e tij ishte refuzuar, pasi që Komisioni Qendror Zgjedhor kishte konfirmuar se ai ishte i dënuar me vendim të formës së prerë.

Demokracia.com ka mësuar se pikërisht për këtë çështje, organizatat “Youth Association for Human Rights” – YAHR dhe AVONET, të cilat e monitorojnë punën e komunave, kanë kërkuar sqarime nga Aliu.

Krejt kjo pasi edhe Rregullorja 04/2017 e Ministrisë së Financave mbi kriteret, standardet dhe procedurat e financimit publik të OJQ-ve përmes nenit 8, paragrafit 7, tregon se “anëtarë të komisionit vlerësues nuk mund të jenë të emëruarit politikë”.

Po ashtu, vendimi për caktimin e anëtarit të jashtëm si ekspert duhet të ketë thirrje publike, në mënyrë që OJQ-të të aplikojnë, gjë që nuk e ka bërë Komuna e Shtimes.

Pika 3.2 e kësaj rregulloreje thekson qartë se “dy përfaqësues nga grupi i ekspertëve të jashtëm, njëri nga të cilët duhet të jetë përfaqësues i OJQ-ve, zgjidhen përmes një thirrje publike të cilën do ta bëjë ofruesi i mbështetjes financiare”.

Në rregullore thuhet edhe se komisioni duhet t’i ketë pesë anëtarë, ndërsa Kryetari i Shtimes ka caktuar gjashtë anëtarë të këtij komisioni, gjë që në këtë rast është e kundërligjshme.

Lidhur me këtë çështje, Demokracia.com ka kontaktuar Bekim Krasniqin nga YAHR, por i njëjti ka thënë se aktualisht nuk mund të përgjigjet, pasi që monitorojnë punën e shumë komunave.

Ndërkaq, Kenan Gashi nga AVONET për Demokracia.com ka konfirmuar se ka dyshime që nuk janë respektuar dispozitat e rregullores së Ministrisë së Financave dhe se ende nuk kanë marrë përgjigje.

Gashi mes tjerash ka thënë se kryetari Qemajl Aliu nuk i ka pranuar asnjëherë në takim dhe nuk ka shprehur vullnetin që të diskutojë për qeverisjen lokale.

“Ne e kemi filluar një hulumtim, mirëpo ende nuk kemi marrë zyrtarisht përgjigje. Ne kemi dyshime që nuk janë respektuar dispozitat e rregullores 04/2017 të MF-së për procedurat e financimit publik të OJQ-ve dhe për ketë i kemi dërguar pyetje, të enjten besoj që reagojmë. Së pari, kryetari i komunës ende nuk na ka pranuar asnjëherë në një takim neve si AVONET dhe asnjëherë nuk ka shpreh vullnet për me diskutu për qeverisjen lokale dhe formën sesi është duke qeverisë dhe në veçanti ai pak ka njohuri rreth proceduarve administrative që zhvillohen brenda komunës. Kështu që, nuk ka sjellë asnjëherë, asnjë komunikim që të marrë edhe opinionin tonë, që të shoh se çfarë shqetësimi dhe të gjetura kemi ne për çdo procedurë. Nëse ka të paktën një kundërshtim apo mospërputhje ligjore duhet që të shfuqizohet vendimi”, ka thënë Gashi.

Demokracia.com e ka kontaktuar edhe Albana Fazliun, Drejtoreshë për Kulturë, Rini dhe Sport në këtë komunë, por e njëjta ka kërkuar që pyetjet t’i nisen në e-mail, duke refuzuar t’u përgjigjet sot pyetjeve të bëra në telefon.

Demokracia.com në vazhdimësi ka raportuar për shkeljet e shumta që janë bërë nga Komuna e Shtimes në krye me Qemajl Aliun.

Për këtë të fundit, në Lëvizjen Vetëvendosje ishin gëzuar shumë kur i fitoi zgjedhjet lokale të vitit 2021.