Distria Krasniqi konfirmohet si top-xhudiste botërore, fiton medaljen e artë në Katar

Me paraqitjen në Mastersin në Doha të Katarit, Distria Krasniqi ka konfirmuar se aktualisht është xhudistja më e mirë në botë në kategorinë deri 48 kilogramë. Si e para në ranglistën botërore, Distria ishte bartëse e parë për garën e së hënës dhe arsyetoi këtë.

Gjatë tërë ditës Krasniqi është shfaqur e pandalshme. Sllovenen Marusha Shtangar e mposhti me “Ippon”, ndërsa hudhje për “Waza-ari” kishte ndaj portugezes Catarina Costa. Edhe francezen Melanie Clement e mposhti me “Ippon” në gjysmëfinale kurse në finale ishte e shkëlqyeshme ndaj japonezes Funa Tonaki. Atë e mposhti për vetëm 1.27 minuta luftë. Në asnjërën luftë, Distria nuk është rrezikuar.

Me vendin e parë ajo ka fituar edhe 1800 pikë në ranglistën olimpike dhe po marshon sigurt drejt Lojërave Olimpike. Do të rrit ndjeshëm diferencën në pikë me xhudistet tjera.

Ka disa vjet që Distria po shfaq formë shumë të lartë. Ajo ka fituar të artën në Masters për herë të tretë rresht. Mastersi është gara ku paraqiten xhudistët më të mirë në secilën kategori.

Distria Krsaniqi vjet fitoi medaljen e bronztë evropiane, ndërsa sivjet synon medalje e tituj në Evropian, Botëror dhe Lojëra Olimpike.

Me formën që e ka shfaqur të hënën, ajo është në rrugën e duhur për të realizuar këto synime.

“Një paraqitje dominante nga Distria Krasniqi e Kosovës, duke e hedhur për dy shënime brilante, ish-kampionen e botës Tonaki. Është titulli i tretë në Masters për Krasniqin”, ka shkruar IJF-ja.