Gresa Caka-Nimani

Dilemat e Kurtit dhe Bislimit që bota i zgjidhi para më shumë se 220 vitesh – leksione bazike juridike për Qeverinë nga Kryetarja e Kushtetuese

Duke u ankuar se opozita po ia bllokon punën meqë po i dërgon ligjet në Gjykatën Kushtetuese për vlefshmërinë e kushtetutshmërisë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë të tij në emisionin “Rubikon” me 30 mars të vitit 2023 lëshoi një frazë ku vendoste në pikëpyetje legjitimitetin e gjyqtarëve në Gjykatës Kushtetuese, meqë ata bllokojnë ligje të personave që votohen nga populli.

“Paramendojeni dikush t’i fiton gati gjysmë milioni vota dhe pastaj zvarritesh për muaj të tërë nga nëntë persona”, thoshte Kurti duke aluduar në gjyqtarët që në shumë raste nxorën në pah se Qeveria kishte propozuar ligje anti-kushtetuese.

Këtë opinion të tij e përforcoi me një fjali akoma më brutale tash së voni, zëvendësi i tij, Besnik Bislimi, kur tha në një Komision Parlamentar se Gjykata Kushtetuese po përzihet fort.

“Le të del të bëhet qeveri, të kërkojë vota njëherë te qytetarët pastaj të thotë unë vendosi…”, tha pos tjerash Bislimi.

Dilema e kryeministrit që vlerësohet për njeri të lexuar dhe zëvendësit të tij që thotë e quan vetën gjeni në ambiente private del se në botën perëndimore që funksion me sisteme demokratike është zgjidhur para disa shekujsh.

Krejt çfarë është dashur Kurti e Bislimi të dinë është lexim bazik i teksteve juridike, apo këshilla elementare nga këshilltar juridik. Ose një opinion nga Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu (sikur të ishte juriste).

Fatmirësisht, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Gresa Caka-Nimani, ka vendosur ta jap një intervistë – të rrallë – në emisionin “Tempus”, ku ka sqaruar se në vendet ku funksionon demokracia kjo as që është çështje më për debat, meqë është sqaruar qysh në vitin 1803 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe është sqaruar nga gjykata kushtetuese më e vjetër në Evropë, ajo e Austrisë.

Ajo u ka sugjeruar kujdesshëm edhe një libër të autorit amerikan, Alexander Bickel, nëse duan njohje për këto dije rudimentare në drejtësi.

“Çështja e legjitimitetit të pushtetit gjyqësor ose të Gjykatës Kushtetuese për të vlerësuar dhe anuluar akte të autoriteteve publike është çështje që është ngritur edhe në Demokraci tjera. Kryesisht në demokracitë më të reja dhe në nivel teorik ndërlidhet me kundër argumentin e shumicës, që është shtjelluar detajisht në vitin 1962 nga Alexander Bickel përmes publikimit të tij ‘Pushteti më pak i rrezikshëm’”, sqaroi Caka-Nimani.

“Dilema që ngrit kjo shkollë e mendimit është nëse gjyqtarët që nuk janë të zgjedhur drejtpërdrejt nga populli kanë legjitimitetin për të vlerësuar dhe anuluar akte të përfaqësuesve të popullit. Thënë këtë, kjo dilemë është zgjidhur në demokracitë e konsoliduar. Në fakt është zgjidhur që në vitin 1803 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes vendimit të Gjykatës Supreme ‘Marbury kundër Madison’, është zgjidhur nga praktika gjyqësore e Gjykatës Kushtetuese më të vjetër në kontinentin evropian, ajo e Austrisë”, shpjegoi kryetarja e Gjykatës Kushtetuese.

Dhe, përgjigja, ishte fare e thjesht.

“Të gjitha demokracitë kushtetuese liberale, përkundër dallimeve në dizajnë kushtetuese, përqafojnë mendimin që legjitimiteti i pushtetit gjyqësor dhe ose i Gjykatave Kushtetuese, për të vlerësuar dhe anuluar aktet të dy pushteteve tjera, përfshirë atë legjislativ, buron nga vetë Kushtetuta”, pohoi ajo, për t’u mos u marrë më me këtë temë dhe kaluar në çështje të tjera.

Gresa Caka-Nimani

Rasti “Marbury kundër Madison” që konsiderohet si vendimi më i rëndësishëm në ligjin kushtetues amerikan që vendosi parimin e rishikimit gjyqësor në Shtetet e Bashkuara, me nënkuptimin që gjykatat amerikane kanë fuqinë të rrëzojnë ligjet dhe statutet që ato gjejnë se kanë shkelur Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara, kishte filluar në vitin 1801, si rast i rivalitetit politik që nuk po ndalej në mes të presidentit që po linte zyrën John Adams dhe atij që po e pasonte Thomas Jefferson.

Shpjegime të përmbledhura të këtij rasti gjenden gjithandej nëpër internet.

Historia vijon kështu.

Adams kishte humbur zgjedhjet presidenciale nga Jefferson. Në mars të vitit 1801, vetëm dy ditë para përfundimit të mandatit të tij si president, Adams emëroi disa dhjetëra mbështetës të Partisë së tij në pozicionet e reja të gjykatës në një përpjekje për të frustruar Jefferson-in dhe mbështetësit e tij.

Senati në largim i SHBA-së konfirmoi shpejt emërimet e Adams, por Sekretari i Shtetit në largim John Marshall nuk ishte në gjendje të dorëzonte të gjitha komisionet (dokumentet formale të emërimit) e reja të gjyqtarëve përpara largimit të Adams dhe inaugurimit të Jefferson.

Xheferson besonte se komisionet e padorëzuara ishin të pavlefshme dhe udhëzoi Sekretarin e tij të Shtetit, James Madison, që të mos i dorëzonte ato.

Një nga komisionet e padorëzuar i përkiste William Marbury, një biznesmen nga Maryland, i cili kishte qenë mbështetës i fortë i Adams dhe federalistëve.

Në fund të vitit 1801, pasi Madison kishte refuzuar në mënyrë të përsëritur të dorëzonte komisionin e tij, Marbury ngriti një padi në Gjykatën e Lartë duke i kërkuar Gjykatës që të lëshonte një vendim mandamus që detyronte Madison të dorëzonte komisionin e tij.

Në një opinion të shkruar nga Marshall, i cili deri atëherë ishte emëruar Kryegjykatës i Shteteve të Bashkuara, Gjykata e Lartë vendosi se refuzimi i Madison për të dorëzuar komisionin e Marbury ishte i paligjshëm.

Gjykata gjithashtu u shpreh se normalisht ishte e duhur në situata të tilla që një gjykatë të urdhëronte zyrtarin qeveritar në fjalë që të dorëzonte komisionin.

Megjithatë, në rastin e Marbury-t, Gjykata nuk e urdhëroi Madison të pajtohej. Duke shqyrtuar ligjin që Kongresi kishte miratuar për të përcaktuar juridiksionin e Gjykatës së Lartë mbi llojet e çështjeve si ajo e Marbury-seksioni 13 i Aktit Gjyqësor të vitit 1789, Gjykata zbuloi se Akti kishte zgjeruar përkufizimin e juridiksionit të Gjykatës së Lartë përtej asaj që ishte përcaktuar fillimisht Kushtetuta e SHBA.

Gjykata më pas hodhi poshtë Seksionin 13 të Aktit, duke njoftuar se gjykatat amerikane kanë fuqinë të zhvlerësojnë ligjet që ato konsiderojnë se shkelin Kushtetutën – një fuqi që tani njihet si vlerësim gjyqësor.

Për shkak se rrëzimi i ligjit hoqi çdo juridiksion që Gjykata mund të kishte mbi çështjen, Gjykata nuk mund të lëshonte shkresën që kishte kërkuar Marbury.

VIDEO BONUS: Qeveria do të mbështesë dy mijë vende pune në katër komunat veriore