“Ai ka hyrë në një tunel dhe e kemi humbur për momentin! Në të ardhmen nuk e di se çfarë do të ndodhë”…
Katër vite më parë, Gianni de Biasi do të përdorte këtë fjali për të etiketuar momentin e Edgar Çanit, që gjatë asaj kohe luante ende në Itali, por kishte filluar rënien.
Çështje karakteri, dëmtimesh, por edhe mungesë profesionalizmi, mes jetës së natës dhe cigareve. E pikërisht De Biasi, që i dha mundësinë e debutimit, e njihte mjaft mirë futbollistin shtatlartë, familja e të cilit kishte emigruar në Itali dhe ishte rritur aty.
Nga një talent dhe shpresa e madhe kuqezi te huazimet dhe transferimet e njëpasnjëshme. U prit shumë, por sulmuesi dështoi totalisht. Vula finale erdhi në Shqipëri, kur u prezantua te Partizani si goditja e vitit, përpara dy vitesh, por ishte katastrofë dhe fshehu një dëmtim që mbarte prej kohësh.
Këtë sezon, Çani luajti me Vibonesen në Serie C (kategoria e tretë italiane), 22 ndeshje duke shënuar vetëm 2 gola. Aq sa, drejtuesit kanë marrë një vendim për t’i dhënë duart dhe për të mos i rinovuar kontratën.
Tashmë, sulmuesi ka mbetur pa skuadër dhe, me shumë mundësi, deri në fund të merkatos, do ta ketë të vështirë të gjejë një klub, duke qenë se mosha avancon dhe sot është 29 vjeç. Megjithatë, në Serie C mund t’i hapen dyert diku.








