Di Maria nënshkruan kontratë të re deri në vitin 2021 me PSG-në

Paris Saint Germain ka arritur marrëveshje me futbollistin e saj Angel Di Maria për të rinovuar kontratën për edhe 3 vite tjera.

Ylli argjentinas prej se u transferua te parisienët në vitin 2015 nga Manchester United, ka qenë shumë i rëndësishëm në dominimin e PSG-së në Ligue 1.

“Jam shumë i lumtur për zgjatjen e kontratës. Kam kaluar 3 vite të shkëlqyeshme në Paris, ku kam gjithçhka çfarë më nevojitet për të luajtur futbollin më të mirë. Secilin ditë ndihem krenar dhe i nderuar që jam pjesë e një projekti unik në Europë. Së bashku me bashkëlojtarët e mi kemi shumë gjëra për të arritur dhe ne do të vazhdojmë të ngritim klubin në arenën ndërkombëtare, jam i sigurt se më e e mira ende nuk ka mbërritur”, u shpreh Di Maria për faqen zyrtare të PSG-së.

Edhe presidenti i kryeqytetasve, Nasser Al Khelaifi është i kënaqur me zgjatjen e kontratës së Di Marias, të cilin e ka konsideruar njërin prej më të mirëve.

“Në moshën 30 vjeçare Di Maria e ka arritur kulmin e formës duke kombinuar eksperiencën dhe talentin e tij. Ai ka zgjedhur t’i kalojë vitet më të mira të karrierës te klubi i tij, PSG-ja. Edhe njëherë tjetër lojtarët më të mirë në botë nuk po shfaqin vetëm dëshirën e tyre për të luajtur për Paris Saint Germainin por edhe të qëndrojnë e të bëjnë histori me klubin”, përfundoi Al Khelaifi.