Moska është shumë e përfshirë në fushatën parazgjedhore në Serbi për të siguruar që Serbia të mbetet një nga aleatët më të afërt të Rusisë në Evropë, shkruan Deutsche Welle.
Gazetari Tomas Braj deklaron se “motorët e propagandës ruse” në Serbi janë dy media shtetërore ruse – “Sputnik Srbija” dhe “RT Balkan”, të cilat kanë redaksi të mëdha në Beograd, prej nga “bombardojnë” me informacion fqinjët e Serbisë, transmeton Ballkani.info.
Mediat e shkruara dhe elektronike vendase në Serbi, veçanërisht ato të “fiksuara pas Rusisë”, e marrin këtë “informacion” në sasi të mëdha, zakonisht pa verifikim, edhe pse janë dezinformata ose janë përzgjedhur për të krijuar një rrëfim për “vëllazërinë serbo-ruse” ose luftën ruse për të shpëtuar botën”.
Si shembull, hapja e fundit e gazsjellësit nga Bullgaria, anëtare e BE-së, drejt Serbisë, kur mezi u përmend në mediat serbe se ndërtimi ishte paguar pothuajse tërësisht nga BE-ja. RTS madje pretendoi se tre tubacionet janë për gazin rus, megjithëse janë për gazin nga Azerbajxhani. Përveç kësaj, fotot nga hapja zyrtare në faqet e para të gazetës, përfaqësuesi i BE-së u errësua plotësisht nga fotot e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Rusia po bën gjithçka që ta lidhë Serbinë me veten sa më fort. Prandaj Moska zyrtare, por edhe media shtetërore ruse, po bëjnë gjithçka për të mbështetur Vuçiqin”, shkruan Braj dhe shton se para disa ditësh në faqen e parë të Gazeta beogradase “Informer” shkruante: “Ambasadat e huaja dhe (investitori dhe filantropi amerikan George) Soros qëndrojnë pas opozitës gënjeshtare”, të cilën, siç pretendon Informer, e ka zbuluar Russia Today (RT).
Një shembull është faqja e parë e revistës së djathtë dhe nacionaliste Peçat – shkruan Deutsche Welle, e cila në numrin e saj të fundit publikoi një portret të madh të ministrit të Jashtëm rus Sergej Lavrov me citatin “Unë shqetësohem për serbët”.
Mediat në Serbi “lavdërojnë vëllazërinë me Rusinë në Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore”, dhe ambasadori i Rusisë në Beograd, Aleksandar Bocan-Kharchenko, është mysafir i rregullt në media ku pretendon se Perëndimi sillet sipas të njëjtti model në Kosovë dhe Ukrainë, thuhet në artikull.
Mediat ruse dhe serbe e prezantojnë Kosovën “si ‘as në mëngë’ të Beogradit: Rusia (dhe Kina) janë garantues në Këshillin e Sigurimit të OKB-së se Serbia mund të vazhdojë pretendimet e saj ndaj Kosovës”, shkruan Deutsche Welle.
Në artikull thuhet se “në fushatën elektorale serbe, Rusia paraqitet si një alternativë e vërtetë ndaj Perëndimit” dhe thekson se pak ditë më parë Sputnik Srbija shkroi se “zotët perëndimorë të NATO-s po ndërmarrin një ofensivë totale dhe po urdhërojnë Serbinë të bjerë përfundimisht në gjunjë për të kapitulluar” dhe se “portale të panumërta serbe e raportuan atë lajm të rremë”.
Deutsche Welle shkruan gjithashtu se “mediat ruse dhe serbe kanë akuzuar vazhdimisht Gjermaninë në veçanti se dëshiron të kryejë një grusht shteti në Serbi” dhe se ministrja e Punëve të Jashtme, Analena Berbok, kohët e fundit kritikoi tonet nacionaliste në fushatën parazgjedhore në Serbi, kështu që ajo u akuzua për “ndërhyrje të rëndë” në zgjedhje. Në mediat në Serbi është shkruar edhe se politikanët gjermanë “flasin për të ardhmen e mrekullueshme të BE-së duke e copëtuar shtetin serb” – në lidhje me Kosovën.
Në tekst shkruhet se presidenti serb Aleksandar Vuçiq “falënderon Rusinë për ndihmën në fushatën zgjedhore dhe betohet për besnikëri”, dhe e citon: “Kam luftuar për të ruajtur miqësinë me Rusinë që kemi ndërtuar me dekada, jo për të shkatërroje brenda natës”. Deutsche Welle shkruan se me këtë ai nënkuptonte “refuzimin e tij të vazhdueshëm që Serbia, si kandidate për anëtarësim në BE, të vendosë sanksione ndaj Moskës”.
Vuçiq thotë se rusët janë “miqtë tanë tradicionalë” dhe “nga ana tjetër, ai lejon që mediat vendase, të cilat ai i kontrollon, të përhapin vazhdimisht lajmin se vendet perëndimore financojnë opozitën për ta rrëzuar”, shkruan Braj.
Në fund të shkrimit për Deutsche Welle, Braj shkruan se “në çdo rast në Serbi pranohen qëndrimet ruse… është një botë virtuale që krijohet dhe mirëmbahet përmes mediave”, dhe “në realitet Serbia është shumë më e lidhur me Perëndimin sesa me Rusinë”. /Ballkani.info/







