Skuadrat shqiptare në arenën ndërkombëtare patën një ecuri zhgënjyese në turin e parë të kompeticioneve të UEFA-s. Egnatia u eliminua nga Champions League pas goditjes së 11-metërshave nga boshnjakët e Borac Banja Luka.

Skuadra e Edlir Tetovës ishte e pafat e tani do të vijojë aventurën e saj në Conference League, ku në turin e dytë do të luajë me islandezët e Vikingur.  Skuadra e vetme që arriti të marrë kualifikimin nga 4 skuadrat e Superiores ishte Partizani. Të kuqtë triumfuan 1-2 në transfertë përballë maltezëve të Marsaxlokk. Goli i Kekos në të 90-tën u dha biletën për në raundin e dytë të ligës së Konferencës, aty ku do matin forcat me gjeorgjianët e Iberias.

Tirana dhe Vllaznia dështuan respektivisht përballë Torpedo Kutaisit dhe Valur. Bardheblutë, ndonëse barazuan 1-1 në Gjerogji, një javë më parë, në ndeshjen e kthimit u mundën minimalisht, ndonëse krijuan jo pak raste për shënim. Me një barazim 2-2 u kthye dhe Vllaznia nga Islanda, në “Loro Boricci” pësuan një humbje turpëruese 4-0, në një sfidë ku nuk reaguan fare dhe largohen nga gara me një shuplakë të vërtetë.

Sa u takon skuadrave shqiptare nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali I Zi, ato gjithashtu zhgënjyen. Kampionët dardanë të Ballkanit, u turpëruan nga Santa Coloma e Andorrës. Ndonëse kishin fituar ndeshjen e parë me përmbysje, u mundën në Kosovë dhe më pas nga penalltitë u eliminuan nga Champions, nga një ekip që konsiderohej modest. Në horizont për skuadrën e Ilir Dajës është përballja e dyfishtë në Conference League me maltezët e Hamrun. Llapi gjithashtu u eliminua nga Europa League nga polakët e e Wisła Kraków, që militon në ligën e dytë, ndërkohë që Malisheva u largua nga gara nga Buduccnosti. Llapi do tëndeshet me danezët e Brøndby.

Drita do e nisë rrugëtimin e saj në turin e dytë të Chapions përballë islandezëve të Breiðablik. Po ashtu dhe Struga e Deçic i dhanë fund aventurës së tyre në Champions, pasi u mundën nga Slovan Bratislava dhe The News Saints e tani do luajnë në Conference League. Struga do ketë një përballje të vështirë në Ligën e Konferencës pasi do ndeshet me armenët e Pyunik, ndërsa kampionët e Malit të Zi do përballen me gjeorgjianët e Dinamo Batumit. Shkëndija e Tetovës po ashtu e mbylli që në raundin e parë të Conference League aventurën europiane, pasi u eliminua nga armenët e Noah.

Në turin e dytë të Conferencë League tani do garojnë 7 skuadra shqiptare. Egnatia, Ballkani, Struga dhe Deçiç pasi e mbyllën aventurën në Champions; Llapi i cili u eliminua nga Europa League, Drita që e nis në këtë raund aventurën e saj europianie dhe Partizani, si e vetmja skuadër shqiptare që kaloi turin e parë të Conference League.

TURI I DYTË I CONFERENCE LEAGUE

NDESHJET E PARA

VIKINGUR REIKJAVIK-EGNATIA

IBERIA 1999 TBILISI-PARTIZANI

BALLKANI-HAMRUN SPARTANS

STRUGA-PJUNIK JEREVAN

DINAMO BATUMI-DEÇIÇ

BRONDBI-KF LLAPI

BREIDABLIK-DRITA E GJILANIT. /Ballkani.info