Dëshira e Hazardit, në kundërshtim me planet e Zidane

Eden Hazard dëshiron të jetë titullar në ndeshjen kundër Eibarit. Belgu është rikuperuar nga lëndimi i tij dhe është përgatitur të luajë nga ndeshja e parë kur të rinisë sezoni në La Liga, por kjo bie ndesh me planet e trajnerit Zinedine Zidane.

Real Madridi do ta luajë ndeshjen e parë pas pauzës gati tremujore kundër Eibarit. Njëra nga fytyrat e reja që do t’i bashkohet skuadrës madrilene është Eden Hazard, i cili e shfrytëzoi pauzën për t’u rikuperuar nga lëndimi i tij.

Sipas gazetës spanjolle AS, futbollisti belg dëshiron të jetë titullar për Real Madridin në ndeshjen e së dielës, pasi që beson se është shëruar plotësisht nga lëndimi i tij dhe ndien se mund të luajë 90 minuta.

Por, përderisa ylli belg ndihet i përgatitur për një sfidë të tillë, të njëjtin mendim nuk e ndajnë edhe Zinedine Zidane dhe ndihmësit e tij në stafin e trajnerit, pasi që ata duan të jenë më të kujdesshëm.

Zidane është i vetëdijshëm për rëndësinë që Hazard e ka për klubin këtë sezon dhe për këtë arsye nuk dëshiron të rrezikojë që belgu të pësojë lëndim muskulor apo ta zhbëjë procesin rikuperues duke u kthyer më herët sesa që duhet.

Strategu francez e kishte përdorur të njëjtën qasje edhe më herët këtë sezon, kur Hazardi ishte kthyer nga një lëndim muskulor. Në ndeshjen e parë pas rikuperimit, Zidane e inkuadroi belgun në lojë vetëm për 30 minuta, në përballjen kundër PSG-së.

E tani, Hazardit i kanë mbetur vetëm edhe katër ditë kohë për ta bindur Zidanen ta fusë në formacionin titullar për ndeshjen kundër Eibarit.