Deputeti i VV-së lavdëron shkarkimin e bordeve nga Kurti, por “harron” të përmend kapjen e tyre nga partia e tij

Deputeti i Vetëvendosjes, Mefail Bajqinovci e ka quajtur lajm të mirë shkarkimin e Bordit të Ujësjellësit “Prishtina” dhe atij të “Postës së Kosovës”.

Megjithatë, ai nuk ka përmendur fare se në këto dy borde janë emëruar anëtarët e VV-së, njëri ish kandidat për deputet e tjetri i aderuar një vit më parë në këtë parti.

Bëhet fjalë për Mentor Hysenin, ish kandidatin e VV –së për deputet për të cilin Ballkani.info raportoi se ështe emëruar kryesues dhe drejtor i Bordit të Ujësjellësit.

Në anën tjetër, Artan Dermaku është zgjedhur anëtar i Bordit të ndërmarrjes publike “Hekurudhat e Kosovës” – Infrakos.

Postimi i plotë i Bajqinovcit:

Lajm shumë i mirë për qytetarët e sidomos për punëtorët e ujësjellësit regjional KUR “Prishtina” dhe Postës së Kosovës.

Qeveria shkarkon Bordin e Drejtorëve dhe është emërimuar Bordi i Përkohshëm të Drejtorëve të ndërmarrjes publike qendrore Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” Sh.A. Në propozimin e Ministrisë së Ekonomisë, Punës, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, thuhet se ekzistojnë së paku katër arsye kryesore për shkarkimin e bordit të drejtorëve: 1. Shpërfillja e humbjeve të shkaktuara nga kryeshefi; 2. Mosadresimi i opinionit të Auditorit; 3. Mosadresimi i gjetjeve të auditorit të brendshëm; dhe 4. Emërimi i parregullt i ushtruesit të detyrës së kryeshefit.

Poashtu është shkarkuar Bordi të Drejtorëve dhe emërimin e Bordit të Përkohshëm të Drejtorëve të ndërmarrjes publike qendrore “Posta e Kosovës” Sh.A., është aprovuar nga kabineti qeveritar. Sipas Ligjit, Qeveria duhet t’i shkarkojë drejtorët kur ka “arsye për të besuar” se kanë shkelur detyrat fiduciare. Në raportin për vitin 2018, Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë opinionin se pasqyrat vjetore financiare të Postës nuk paraqesin gjendjen e drejtë dhe të vërtetë në të gjitha aspektet materiale në këtë ndërrmarje.