Dënohet me para kryetari i KEK-ut, fyeu e deshi t’i godasë gjyqtarët

Besnik Mjeku, kryetar i klubit ‘KEK-u’ nga Kastrioti është dënuar me 500 euro për shkak që kishte ofenduar gjyqtarët dhe kishte tentuar që t’i godasë me top.

Ai këtë veprim e kishte bërë në ndeshjen në mes KEK-ut dhe Besës që është zhvilluar në stadiumin ‘Agron Rama’ në Obiliq.

Andaj FFK duke u bazuar në rregullat disiplinore e ka shqiptuar këtë dënim për Besnik Mjekun.

Vendimin e bën me dije në njoftimin për media vet FFK-ja.

“Besnik Mjeku, kryetar i klubit të futbollit ‘KEK-u’ nga Kastrioti, në procedurë të hapur disiplinore nga mbledhja e kaluar e komisionit, për manifestim të sjelljeve josportive ndaj gjyqtarëve të ndeshjes së javës së XV-të Ligës së pare të Kosovës në futboll për kategorinë e seniorëve KF KEK-u – KF Besa e zhvilluar në stadiumin ‘Agron Rama’ në Obiliq; raportet zyrtare (pas përfundimit të ndeshjes, hynë në fushë, ofendon gjyqtaret, njëherësh tenton që të njëjtit edhe t’i godasë me top)”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

FFK-ja thotë se bazuar në nenin 40 paragrafi 1 pika 3 dhe neni 10 paragrafi 2 të Rregullores disiplinore dënohet me të holla në shumë prej; 500 euro.

“Afati i pagesës së dënimit të shqiptuar në të holla është 15 ditë nga data kur vendimi bëhet i plotëfuqishëm (Rregullorja disipolinore neni 1 paragrafi 1)”, njofton FFK.