Del në skenë një emër i ri për ta marrë Kombëtaren e Shqipërisë, pasi Reja refuzoi

Të gjitha rrugët të çonin te Edoardo Reja, por mesa duket nuk do të jetë 73-vjeçari italian pasuesi i Christian Panuccit në stolin e kombëtares shqiptare. Tani, në skenë ka dalë një emër tjetër.

Reja erdhi në Shkodër për ndeshjen Shqipëri-Turqi për të vëzhguar nga afër disa lojtarë dhe jo për të biseduar me Dukën për stolin e përfaqësueses shqiptare.

Megjithatë mes kreut të FSHF-së dhe ish trajnerit të Napolit dhe Lazios pati një takim që gjithsesi nuk u mbyll me një shtrëngim duarsh pasi Reja e refuzoi kombëtaren shqiptare me arsyetimin se nuk ka futbollistët e përshtatshëm për të arritur objektiva madhorë.

Tashmë në skenë ka dalë një emër i ri por që gjithsesi ka qenë në axhendën e presidentit Duka edhe përpara se ky i fundit të emëronte Panuccin si trajner i Shqipërisë. Bëhet fjalë për Luigi De Canion.

61-vjeçari nga Matera nuk ka përvojën e Edi Rejas por gjithsesi është një trajner me shumë eksperiencë që gjatë karrierës së tij ka drejtuar edhe skuadra të njohur si Udinese e Napoli.

Për herë të fundit ai ka drejtuar Ternanën fillimisht në Serie B dhe më pas në Serie C, por në janar i këtij viti u shkarkua nga detyra dhe tashmë është i papunë.

Megjithatë De Canio është një nga emrat e shumë në axhendën e presidentit Armand Duka i cili do të shqyrtojë me kujdes përpara se të marrë një vendim se cili do të jetë pasuesi i Panuccit te Shqipëria.