Deamishel largohet e para nga finalja e madhe

Moderatorja e emisionit “E Diell”, Deamishel Hoxha është banorja e parë e eliminuar të shtunën nga finalja e madhe e Big Brother VIP Albania 2.

Ajo ka qëndruar plot 136 ditë në shtëpinë më të famshme në Shqipëri, pasi është futur që në nisje të spektaklit në datën 24 dhjetor 2022.

Rrugëtimi i bukuroshes bionde përfundoi kështu duke e renditur atë të katërtën, në një finale ku konkurrentë ishin edhe: Kristi Aliaj (Dragot), Luiz Ejlli dhe Efi Dhedhes.

Deamishel e cila ka studiuar për arkitekturë, përgjatë gjithë qëndrimit të saj në shtëpinë e Big Brother VIP Albania mori vëmendjen e shumë zemrave të publikut me lojën dhe qetësinë e saj.

Ajo është shquar pa dyshim si një nga banoret më të qeta dhe më të duruara të këtij edicioni, e cila ka ditur të mbrojë veten dhe të përfaqësojë denjësisht edukatën e familjes së saj.

Si finaliste, Deamishel largohet nga finalja e madhe e Big Brother VIP Albania 2 me një çmim prej 10 mijë eurosh, që i takon çdo finalisti që nuk shpallet fitues i çmimit kryesor.

Para se të eliminohej, ajo u befasua me një surprizë të këndshme nga vëllai i madh, duke takuar nënën e saj, Lorin, pas pesë muajsh izolimi në shtëpinë e BBVA.