Dardani fton “Dardanët” që të jenë lojtari i gjashtë i Kosovës në parakualifikime

Kosova të enjten zhvillon njërën nga ndeshjet më të rëndësishme në vitet e fundit. Dardanët do të përballen me Islandën, në ndeshjen që zhvillohen nga ora 19:00 në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.

Atmosfera në ekipin e Kosovës është shumë e mirë dhe lojtarët janë të motivuar për të dhënë gjithçka nga vetja, në këtë përballje shumë të rëndësishme. 

Kosova të mërkurën është stërvitur në mesditë, derisa pas stërvitjes është mbajtur edhe konferenca për media.

Kapiteni i Kosovës, Dardan Berisha, u ka bërë thirrje Dardanëve, që të jenë në numër sa më të madh, sepse është një motiv i madh për lojtarët në fushë.

Motivi është i madh në ekipin tonë. Atmosfera është shumë e mirë. Kemi pasur stërvitje intensive në këto tri ditë. Shpresoj se, palestra do të jetë e mbushur me tifozë, sepse ky është një motiv për lojtarët në fushë. Ne duam të kemi rezultate sa më pozitive dhe me ndihmën e tifozëve mund t’ia dalim”, nënvizoi Berisha.

Ndeshja Kosova-Islanda zhvillohet të enjten nga ora 19:00 në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë. Takimi është në kuadër të parakualifikimeve për Botërorin 2023. Dardanët pas tre ditësh janë mysafirë të Luksemburgut, derisa pjesë e Grupit B është edhe Sllovakia.