Daçiq: Clinton dhe Albright gënjyen se serbët kryen krime e vranë civilë

Një seancë dëgjimore në Kongresin Amerikan, në të cilin përkrahësit e vazhdueshëm të pavarësisë së Kosovës, Madeleine Albright, Eliot Engel dhe Daniel Server, i dhanë rekomandime Administratës së re të Biden se gjatë mandatit të saj, kjo administratë duhet të fokusohet në detyrimin e Serbisë për ta njohur Kosovën si shtet të pavarur, tregoi se frika e Beogradit për një ndryshim të qeverisë në Uashington ishte disi e justifikuar.

Rreth kësaj çështje ka pasur reagime të mëdha në Serbi, ku thuhet se nxitësit e pavarësisë së Kosovës po tentojnë t’ia imponojnë Administratës së Biden për të bërë presion ndaj Serbisë, ta kërcënojnë atë me sanksione dhe të bllokojnë hyrjen e saj në BE derisa të njohë shtetësinë e Kosovës.

Reagime të ashpra ka pasur edhe nga dy figurat kyçe në politikën serbe, Ivica Daçiq e Aleksandar Vulin.

Së fundmi Daçiq ka reaguar sërish duke thënë se Clinton dhe Albright gënjyen duke thënë se serbët kryen masakra në Kosovë.

“Clinton dhe Albright gënjyen se serbët kryen masakra, vranë civilë dhe në fund doli se asnjëra s’ishte e vërtetë”, ka thënë Daçiq në TV Pink.

Ditë më parë ka reaguar edhe Ministri serb i Brendshëm, Aleksandar Vulin i cili tha se sa më pak të ketë të tillë si Albright dhe Engel, aq më shumë mundësi do të ketë që e ardhmja të sundojë mbi të kaluarën.